SHQENGSRB

Zyra e Kryeministrit kërkon autobusë me prodhim jo më të vjetër se të vitit 2007, tenderi shkon në OSHP

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 23.02.2018 | 3 min
  • Salla e OSHP-se

    Raporton: Arbelina Dedushaj

    Prishtinë- Kompania ankuese, “Arditi Tours”sh.p.k-Ferizaj është ankuar pranë Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), për kriteret diskriminuese në tenderin për shërbimet e transportit me autobusë për nevojat e Zyrës së Kryeministrit (ZKM). Kontrata për këto shërbime parashihej që të lidhej për tri vite,  koston e të cilit ZKM e kishte paraparë shumën prej 30 mijë eurosh. Transporti në fjalë parashihej që të kryhej brenda dhe jashtë vendit.

    “Arditi Tours” në ankesën e saj kishte theksuar shkeljet ligjore të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP),  lidhur me diskriminimet dhe favorizimet në kriteret e vendosura në dosjen e tenderit. Në këtë të fundit, sipas ankuesi kërkohet posedimi i minimum tre autobusëve dhe një minibusi, të cilët duhet të ishin të prodhimit jo më të vjetër se të vitit 2007. Këto kritere diskriminuese, në ankesë thuhet se kufizojnë konkurrencën e lirë dhe se i përshtaten një kompanie të vetme.

    Lidhur me këtë, OSHP, në seancën e së premtes kishte ftuar përfaqësuesin e kompanisë “Arditi Tours”, Albert Fazliu dhe përfaqësuesin e ZKM-së, Isa Hajdari për të paraqitur fjalën e tyre lidhur me këto pretendime.

    Fazliu tha se kjo është një mohim i të drejtës për të ofertuar, e kjo sipas tij bije ndesh edhe me udhëzimin administrativ të Ministrisë së Infrastrukturës (MI), mbi bazën e të cilës lëshohet licenca “D”, e cila nënkupton ushtrimin e lirë të veprimtarisë së transportit rrugor vendor dhe atij jashtë vendit. Disa nga kriteret që një kompani duhet të përmbushë për të marrë këtë licencë është posedimi i tre autobusëve jo më të vjetër se 20 vite, të cilën Fazliu tha se e posedon, pasi ka kohë që e ushtron këtë veprimtari.

    Ndërsa, drejtori i prokurimit në ZKM-së, Hajdari vendimin për të kërkuar si kriter vitin e prodhimit të autobusëve e arsyetoi me problemet e mundshme që mund të ndodhin në udhëtimet jashtë vendit.  “Siç e dini shumë herë qeveria mund të udhëtojë në shtetet e jashtme dhe nuk mund të tenderojmë me autobusë të vjetër, pasi në disa shtet nuk i lejojnë të hyjnë fare”, tha ai.

    Ai tha se edhe ashtu deri në 10 vite nga dita e prodhimit, siç kishin kërkuar si autoritet kontraktues, janë të vjetër, pasi sipas tij kontrata do të lidhej për 3 vite dhe vjetërsia e tyre do të shkojë deri në 14 vite, deri në implementimin e plotë të kontratës.

    Hajdari tha se as që e kishte imagjinuar ndonjëherë, që siç u shpreh ai, për tre autobusë të përballet me OSHP-në. Ai tha se zyrtarët që do të udhëtojnë me këta autobusë nuk mund të udhëtojnë me çkado, prandaj edhe e kishin paraqitur si kriter vitin e prodhimit.

    E prezent në seancë ishte edhe eksperti shqyrtues, Visar Bibaj, i cili i kishte rekomanduar panelit shqyrtues  që ankesa e operatorit ekonomik ankues të aprovohet si e bazuar.

    Ai tha se, në raportin e ekspertizës ka sqaruar edhe kriteret që kompanitë duhet të posedojnë që MI-ja t’ua lëshojë licencën “D”, që parashihen në udhëzimin administrativ të kësaj ministrie. Sipas Bibajt, autoriteti kontraktues-ZKM përveç që e ka aplikuar këtë kërkesë në kundërshtim me këtë udhëzim, e njëjta edhe ka bërë shkelje të dispozitave ligjore të LPP-së.

    Për këto pretendime, “Arditi Tours” kishte shfrytëzuar të drejtën që fillimisht të ankohet pranë ZKM-së, por e kjo e fundit kërkesën për rishqyrtimin e dosjes së tenderit e kishte refuzuar, me arsyetimin se procedurat e prokurimit i kanë udhëhequr konform dispozitave ligjore.




    Lajmet e Rekomanduara

    Platforma Flamujt e Kuq – Kërkesë për oferta

    më shumë

    Raporti i Auditimit për vitin 2018

    më shumë

    Publikohet analiza “Shfrytëzimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta…

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit