SHQENGSRB

“Office Printy” ankohet se Komuna e Klinës anuloi tenderin pa të drejtë

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 26.04.2018 | 2 min
  • Raporton: Arbelina Dedushaj

    Prishtinë- Organi Shqyrtues i Prokurimit (OShP), këtë të martë ka shqyrtuar ankesën e operatorit ekonomik ankues “Office Printy”, e cila është ankuar lidhur me anulimin e tenderit “Furnizim me material të shtypur zyrtar”. Ky aktivitet ishte anuluar nga autoriteti kontraktues, Komuna e Klinës, e cila vendimin për këtë e kishte arsyetuar për dallimet që kishin dalur në mes të tabelave të çmimeve të dosjes fizike të tenderit me atë në platformën elektronike.

    Si rezultat i këtyre ndryshimeve, komuna në njoftimin për anulim kishte përmendur edhe faktin se në ofertat e dorëzuara kishte dallime edhe në artikuj.

    Por, ky vendim ishte kundërshtuar nga “Office Printy”, fillimisht pranë autoritetit, pastaj edhe në OShP, me ankesën e datës 30 maj 2018.

    Në këtë ankesë, operatori ekonomik ankues kishte përmendur mundësinë ligjore kur një aktivitet i prokurimit mund të anulohet, e që sipas tij në këtë rast nuk ka mundur të bëhet një gjë e tillë, pasi veç janë hapur ofertat e tenderuesve.

    Ndërkaq në seancën e së martës, përfaqësuesi i këtij operatori, Avdi Koca i ritheksoi pretendimet ankimore në ankesë, duke shtuar se anulimi i aktivitetit është i pabazë edhe për një fakt tjetër.

    Koca tha se gjatë procedurës së këtij tenderi, kishin kërkuar sqarime shtesë lidhur me harmonizimin e artikujve, gjegjësisht për sqarim të dosjes. E për këtë kompania që Koca përfaqëson kishte marrë një përgjigje, edhe pse, sipas komunës parashtrimin e kërkesës për informata shtesë e kishte bërë pas afatit. “Do të merret parasysh çmimorja nga Exeli në platformën elektronike”, kishte qenë kjo përgjigja e komunës për pyetjen që ‘’Office Printy’’ kishte kërkuar nga autoriteti kontraktues.

    Sipas “Office Printy” të gjithë operatorët ekonomik është dashur të ofertojnë sipas kësaj përgjigje të komunës, pasi e njëjta u ishte dërguar të gjithëve. Koca në fund kërkoi që vendimi për anulim të kthehet në rivlerësim, pasi sipas tij nuk ka bazë ligjore në të cilin mund të mbështetet.

    Sikundër, në seancë prezent ishte edhe zyrtari i prokurimit të kësaj komunë, Abaz Foniqi,, i cili i qëndroi prapa vendimit që kishte marrë si autoritet kontraktues për ta anuluar tenderin. Ai tha se kanë pritur  që të gjitha ofertat të vijnë në formë elektronike, por nuk kishte ndodhur ashtu, pasi prej katër ofertave të dorëzuara dy kishin ardhur në kopje fizike.

    Përveç kësaj, sipas tij harmonizimi i artikujve nuk ka qenë i mundur, pasi në platformën elektronike kanë figuruar vetëm 32 artikuj, ndërsa në dosjen fizike ka pasur më shumë. Sipas Foniqit këto dallime kanë qenë të papërmirësueshme dhe anulimi i këtij aktiviteti ka qenë një domosdoshmëri.

    Për t’i shqyrtuar pretendimet ankimore të “Office Printy”, OShP kishte caktuar si ekspert shqyrtues Agim Sheqirin. Ai pas shqyrtimit të lëndës, përmes ekspertizës i kishte kërkuar kryetarit të panelit shqyrtues që pretendimet e këtij operatori të aprovohen si të bazuara dhe lënda të kthehet në rivlerësim. E në seancën e së martës, eksperti Sheqiri tha se komuna është dashur ta shtyjë afatin për dorëzim dhe ta bëj korrigjimin e dosjes së tenderit.

    Vlera e parashikuar për këtë aktivitet të prokurimit kishte qenë 15 mijë euro.




    Lajmet e Rekomanduara

    Thirrje për punë praktike – 5 pozita

    më shumë

    Reagim: Organizatat e shoqërisë civile në përkrahje të protestës!

    më shumë

    Gjakova komuna e parë me kontrata të hapura

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit