SHQENGSRB

Kompania ankuese kërkon nga OSHP sanksione për KEK-un

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 15.02.2018 | 2 min
  • Raporton: Arbelina Dedushaj

    Prishtinë- Të martën, në seancën e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), përfaqësuesi i kompanisë ankues, “Primus Engineering”, Burim Baraku kërkoi nga paneli shqyrtues që Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) t’i shqiptohen sanksione për mosrespektim të vendimeve.

    “Ne kërkojmë nga OSHP që KEK të sanksionohet sipas ligjeve në fuqi për mosrespektim të vendimit të OSHP-së e po ashtu t’i jepet urdhër i prerë për ekzekutimin e kësaj kontrate, pasi tani jemi operatori i vetëm ekonomik, i përgjegjshëm në këtë aktivitet të prokurimit”, tha Baraku.

    Ndryshe, “Primus Engineering” në ankesën e dorëzuar në OSHP më 9 janar të këtij vitit, kishin cekur pretendimet për shkeljet ligjore që KEK i kishte bërë përmes vendimet për anulimin e njoftimit për dhënien e kontratës.

    Arsyeja e eliminimit të “Primus Engineering” sipas KEK ishte deklarata e liferimit, të cilën sipas përfaqësuesit të kësaj të fundit, Flamur Bekteshit, të njëjtës i kishte munguar.

    Gjatë kësaj seance, Bekteshi tha se OSHP është vënë në lajthim nga kompania ankuese, si dhe nga eksperti shqyrtues, dhe kjo sipas tij kishte qenë edhe arsyeja e marrjes së vendimit nga paneli për ta kthyer lëndën në rivlerësim.

    “Po të shikohet ekspertiza e dhënë nga eksperti i mëhershëm, Muhamet Kurtishi thuhet se në pikën 5.3 të FDT nuk është kërkuar deklaratë për afatin e liferimit. Mbi këtë bazë paneli e ka paraqitur vendimin e tij dhe me këtë ne absolutisht nuk pajtohemi, pasi përveç në pikën 5.3 afati i liferimit është cekur edhe në aneksin 1 pika 6”, deklaroi Bekteshi.

    Ai po ashtu theksoi se sipas Ligjit të Prokurimit Publik (LPP), kërkesat në dosje të tenderit janë të obligueshme për operatorët ekonomik pjesëmarrës, e të cilat duhet të dëshmohen edhe me dokumente. Bekteshi në fund i propozoi panelit shqyrtues që ta lërë në fuqi vendimin për anulim të aktivitetit të tenderimit.

    Ndryshe, për këtë tender, OSHP përmes vendimit të 21 nëntorit të vitit të kaluar kishte anuluar njoftimin e KEK për anulim të aktivitetit të prokurimit dhe kishte urdhëruar që lënda të kthehet në rivlerësim.




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit