SHQENGSRB

Eksperti shqyrtues gjen shkelje në tenderin për gjelbërimin e qytetit të Gjakovës

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 26.01.2018 | 3 min
  • Raporton: Arbelina Dedushaj

    Prishtinë- Nazmi Statovci, eksperti i caktuar nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), në raportin e tij ka konstatuar se ka shkelje ligjore në tenderin e Komunës së Gjakovës “Mirëmbajtja e gjelbërimit të qytetit dhe mbjellja e fidanëve”.

    Në mërkurën, para panelit të OSHP-së, ai tha se gjatë shqyrtimit të dosjes së tenderit kishte gjetur se ka lëshime nga ana e komunës, e cila në vend të çmimeve të parashikuara ka bartur sasisë, e që sipas tij kjo paraqet shkelje pasi ka ndikuar në paramasë, përkatësisht në çmimin e parashikuar.

    E për fituesin e këtij tenderi, kompaninë “Beni”, Statovci tha se është situatë interesante, pasi e njëjta në formularin e këtij aktiviteti nuk e ka plotësuar emrin e aktivitetit të prokurimit, emrin e autoritetit kontraktues, periudhën e vlefshmërisë, por në fund është pranuar si e përgjegjshme nga komuna.

    “Konsideroj se si ekspert profesional ky operator ekonomik është i papërgjegjshëm për shkak se nuk i plotëson kushtet formalo-administrative”, tha Statovci. I njëjti, panelit të OSHP-së i rekomandoi që këtë aktivitet të prokurimit ta kthejë në ritenderim.

    Ndërkaq, përfaqësuesja e zyrës së prokurimit të Komunës së Gjakovës, Albana Bakalli i propozoi të njëjtit panel që ta lerë në fuqi vendimin e komunës për shpërblimin me kontratë të kompanisë “Beni”, pasi sipas saj ky operator i plotëson të gjitha kërkesat e kërkuar në dosje të tenderit.

    Për ankesën e ushtruar nga konsorciumi “Victory Com & Letaj”, Bakalli tha se i njëjri nuk e ka pasur një të drejtë të tillë, pasi sipas saj nuk i plotëson kërkesat minimale  të dosjes së tenderit dhe është i papërgjegjshëm.

    Bakalli foli edhe për operatorin tjetër ankues “KRM Çabrati”, i cili herën e parë ishte shpallur fitues, por pas ankesave të ushtruara nga operatori “Beni” lidhur me mungesën e inxhinieres së bujqësisë, komuna e kishte anuluar procedurën dhe e kishte kthyer në rivlerësim.

    Sipas saj, ky vendim kishte ardhur pas kërkesës për sqarime nga kompania “Beni”, se si është e mundur që ditën e hapjes së ofertave, kompania e shpallur fituesi “KRM Çabrati” ta suspendoj nga puna inxhinieren e tyre të bujqësisë, Nora Gola.

    Ajo tha se pas vlerësimit dhe verifikimit të dokumentacioneve komisioni ka anuluar këtë tender, pasi fituesi kishte dalë i papërgjegjshëm. “Pas vlerësimit, komisioni ka menduar se “KRM Çabrati” nuk është i përgjegjshëm pasi kusht kryesor në dosjen e tenderit ka qenë inxhinieri i bujqësisë”, tha Bakalli.

    Përfaqësuesi i fituesit të parë të tenderit, “KRM Çabrati”, Lorik Lipoveci tha se ka zbatim të gabuar të ligjit si dhe shkelje procedurale nga ana e komunës, si autoritet kontraktues.

    Sipas tij, ndryshimi i paparashikuar i projekt-menaxherit nuk do të thotë ndryshim esencial, pasi gjatë kohës kur është dorëzuar oferta ka qenë në detyrë dhe kjo ka qenë edhe kërkesë ligjore në dosjen e tenderit.

    Në fund Lipovci shtoi se tenderi i është dhënë një kompanie me çmim më të shtrenjtë, vendim i cili sipas tij përbën shkelje të dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).

    Ndërkaq Kushtrim Krasniqi, përfaqësuesi i “Victory Com & Letaj” tha se janë eliminuar nga ana e komunës për mungesë të projekteve të realizuara, por sipas tij edhe eksperti  e ka vërtetuar se ato nuk kanë munguar, pasi në dokumentacionin e dorëzuar ka kontrata të mjaftueshme të natyrës së ngjashme.

    Krasniqi njoftoi se këtë tender e kishte kthyer në rivlerësim OSHP-ja, mirëpo një vendim të tillë nuk e kishte respektuar komuna, pasi kishte anuluar komplet procedurën dhe e kishte krijuar një dosje të re me një numër të ri, duke mos e potencuar si ritenderim.

    Ndryshe, kjo lëndë po trajtohet në OSHP për herë të dytë, e kjo pas ankesave të dy operatorëve të lartcekur, të cilat i kishin dorëzuar më 15 dhjetor të vitit të kaluar.




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit