SHQENGSRB

Shkolla verore Sfido Historinë synon të bëhet tradicionale

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 30.01.2019 | 3 min
  • Shkolla verore Sfido Historinë (Challenge History), e cila edicionin e parë e mbajti në vitin 2017 në Mostar të Bosnjës, po synon të bëhet tradicionale.

    E nisur si pilot, ajo testoi idenë nëse të rinjtë e shkollave të mesme nga vendet e ish-Jugosllavisë të mblidhen në një vend dhe të diskutojnë mbi tema si: historia, identiteti kombëtar, e kaluara e përbashkët, dhe roli i edukimit dhe medias në shoqëri.

    Meqë në vitin e parë, ky projekt rezultoi i suksesshëm, organizatorët u dakorduan që ta kthejnë atë në aktivitet tradicional, duke vazhduar organizimin e tij çdo vit dhe duke përfshirë gradualisht të gjitha ish- vendet e Jugosllavisë.

    Por, vetëm vendet që nuk janë pjesë e Bashkimit Europian, pasi që konsiderohet se raportet në mes të këtyre popujve duhet avancuar më tutje për arritjen e paqes së plotë.

    Qëllimi i këtij projekti në thelb është që të avancohet ambienti për aktivizëm shoqëror dhe të zhvillohen raporte të mira fqinjësore mes shteteve të Ballkanit Perëndimor duke kontribuar në gjithëpërfshirje, pluralizëm dhe transparencë në edukimin e të rinjve si dhe duke e zhvilluar një kulturë që e orienton shoqërinë drejt një të ardhme paqësore dhe europiane.

    Në vitin e parë në këtë aktivitet morën pjesë organizata  dhe nga tetë nxënës të shkollave të mesme nga Bosnja e Hercegovina, Kosova dhe Serbia.

    Në vitin e dytë, shkolla verore ndryshon emër dhe bëhet Challenge History-2 “REACT for the future”- Shkolla Verore Sfido Historinë-2 “REAGO për të ardhmen”, dhe u mbajt me 22 – 28 korrik në Prizren.

    Pjesëmarrës ishin nxënës të shkollave të mesme nga tre vende të  vitit të parë, përkatësisht Kosova, Bosnje dhe Hercegovina, dhe Serbia, ndërsa projektit i është bashkuar edhe Maqedonia.

    Në një konkurs të hapur u përzgjodhën të rinj, të moshës 16-17 vjeç nga 4 vendet. Për secilin shtet ishin rezervuar shtatë vende për gjithsej 28 pjesëmarrës.

    Kjo shkollë verore përbëhet nga katër module kryesore: identitetet sociale, trashëgimia e luftës/paqes në përgjithësi dhe në kontekstin e Ballkanit Perëndimor, si dhe kontrasti/tregimet historike të përbashkëta, edukimi/kultura/mediat për paqen.

    Mbi këto tema u mbajtën 13 punëtori.

    Pas përfundimit të shkollës verore nga organizatorët dhe vetë pjesëmarrësit u zhvilluan aktivitete edukative për të gjithë pjesëmarrësit.

    Kësisoj, nxënësit pjesëmarrës përveç se përfituan nga punëtoritë në lidhje me katër modulet e shkollës verore, patën mundësi që të komunikojnë dhe debatojnë ndër vete, sikurse edhe t`i shkëmbejnë pikëpamjet e tyre. Pastaj vizituan qytete dhe monumente të ndryshme të Kosovës. Për shumicën prej tyre kjo ishte hera e parë e qëndrimit në Kosovë.

    Kjo ishte një përvojë e jashtëzakonshme, përmes së cilës ata mësuan shumë gjëra për të cila nuk kishin njohuri më parë, duke përfshirë këtu historinë, identitetin, të kaluarën e përbashkët si dhe dallimet në sferën e medias dhe arsimit.

    Kjo bëri që pjesëmarrësit nga vende të tjera ta ndryshojnë sadopak perceptimin në lidhje me Kosovën, e cila sipas tyre nuk ishte krejtësisht ashtu siç paraqitet në mediat e vendeve të tyre apo në librat e historisë.

    Kjo shkollë verore pritet të organizohet edhe këtë vit, ndërkohë që  asaj pritet t`i bashkohen edhe të rinjtë nga Mali i Zi.

    Në vitin 2018, organizatorë nga Kosova të kësaj shkolle verore ishin organizatat joqeveritare Demokraci Plus dhe Center for Peace and Tolerance (CPT) dhe ishte përkrahur nga një grup donatorësh si Western Balkan Funds (WBF), Friedrich-Ebert-Stiftung – Dialogue Southeast Europe (FES-SOE), Schwizerische Helsinki Vereinigung (SHV) dhe Forum ZFD (Forum Civil Peace Service) në BeH, Kosova dhe Maqedonia, dhe të partnerëve të përhershëm të projektit si, The Helsinki Committee for Human Rights (Serbia), CIVIL MK-Center for Freedom, The Helsinki Committee for Human Rights (Macedonia), United World College (UWC) Mostar (BiH).




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit