SHQENGSRB

Prezantimi i Raportit të dytë ‘Matësi i performancës në prokurim publik’

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 27.03.2019 | 5 min
  • Prishtinë, 27.03.2019  – Demokraci Plus (D+) publikoi raportin e dytë të vlerësimit gjashtëmujor mbi prokurimin publik në nivel komunal për periudhën janar – korrik 2018, duke u fokusuar në pesë komuna: Gjakovë, Gjilan, Pejë, Prishtinë, dhe Vushtrri. Ky raport krahasues analizon performancën e këtyre komunave në efektivitetin e prokurimit, integritetin, transparencën dhe cilësinë e shërbimeve që u ofrohen qytetarëve. Raporti vlerëson performancën e komunave përmes një numri indikatorësh, si: “Zbatimin e Ligjit”, “Praktikat e Mira”, “Zbatimin e rekomandimeve nga institucionet mbikëqyrëse”, “Transparencën”, “Konkurrencën” dhe “Përfshirjen Qytetare”. Bazuar në këtë analizë, D + ka gjetur që komuna e Vushtrrisë, Prishtinës dhe Pejës janë performuesit më të mirë gjatë gjysmës së parë të vitit 2018.

    Në tryezën e D+, Isuf Zejna, i cili prezantoi këtë analizë, vlerësoi se krahasuar me raportin e parë del se këtë herë komunat qëndrojnë më mirë, ku ka reforma kryesore në prokurim publik, sidomos në kuptim të transparencës. Sipas tij, ka filluar publikimi i një numri më të madh të dokumenteve duke përfshirë edhe kontratat e prokurimit publik.

    Drejtoresha e zyrës për Demokraci dhe Qeverisje në USAID, Christina Davis, duke e vlerësuar rezultatin e këtij projekti, tha se në këtë mënyrë luftohet edhe korrupsioni.
    “USAID është i kënaqur t’i ndihmojë këto ngjarje që komunat po i praktikojnë dhe kjo ka të bëjë me transparencë dhe llogaridhënie. Në këtë raport, kemi progres më të madh në transparencë, pasi plani i prokurimit dhe kontratat tanimë janë online”, tha zonja Davis.

    Ndërsa, kryetari i komunës së Vushtrrisë, si komuna që performoi më së miri, Xhafer Tahiri, tha se është diçka e veçantë që komuna që udhëheqë është vlerësuar me numrin më të madh të pikëve, në kuadër të këtij projekti.

    Ardian Gjini, kryetar i Komunës së Gjakovës, shprehu gatishmërinë e tij që transparencën në këtë komunë t’a ngris edhe më tutje duke vë në dispozicion të gjitha dokumentët për shpenzimin e parasë publike për çdo palë të interesuar.

    Arbër Ismajli, nënkryetar i Komunës së Gjilanit, tha që pajtohet më të gjeturat e raportit dhe ndjehet mirë që raporti konstaton përmirësim nga viti 2017. Mirëpo, sipas tij, kjo komunë po ballafaqohet me mungesë të personelit në prokurim, pasi që disa prej tyre janë të suspenduar për shkak të aktakuzave.

    Edhe përfaqësuesit e komunave të tjera: Miranda Mullafazliu – Komuna Prishtinës, Shkumbin Gashi, përfaqësues i Komunës së Pejës, dhe Arbër Ismajli, Komuna e Gjilanit dhanë komente pozitive për këtë analizë mbi prokurimin publik në nivelin komunal.
    Për të parë rezultatet e hollësishme dhe ilustrimet grafike të punimit, ju lutem klikoni këtu. Kjo iniciativë është rezultat i mbështetjes së programit të USAID, për Komunat Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse (USAID TEAM) për Demokraci Plus.

    Material shtesë

    Zbatimi i Ligjit
    Bazuar në raport, Komuna e Pejës performon më së miri në mesin e pesë komunave në fushën e zbatimit të ligjit. Kjo performancë është si rezultat i nivelit të lartë të pajtueshmërisë me kornizën ligjore gjatë udhëheqjes së aktiviteteve të prokurimit. Komuna e dytë e renditur me performancë më të mirë është ajo e Vushtrrisë, e ndjekur pastaj nga Komuna e Prishtinës dhe Gjilanit.

    Praktikat e mira
    Matja e “Praktikave të Mira” shkon përtej obligimeve themelore ligjore dhe vlerëson nëse komunat bëjnë hulumtime të tregut, vlerësojnë cilësinë në menaxhim të projekteve dhe nëse kryhen pagesat me kohë. Komuna me performancën më të mirë ishte Vushtrria, e cila zbaton standardet për hulumtimin e tregut dhe për specifikimet teknike në tenderë. Përveç kësaj, kjo komuna ka zhvilluar dhe ka vënë themelet e Planit të Integritetit, i cili i udhëzon zyrtarët e prokurimit dhe zyrtarët tjerë komunal se si të sillen. Komuna e Prishtinës është një ndër komunat më të disiplinuara në lidhje me ekzekutimin e pagesave brenda afatit ligjor.

    Implementimi i Rekomandimeve të Institucioneve Mbikëqyrëse
    Ky tregues mat zbatimin e rekomandimeve dhe opinioneve të lëshuara nga institucionet e mbikëqyrjes, si Zyra Kombëtare e Auditimit dhe Agjencia Kundër Korrupsionit. Raporti gjeti se këto rekomandime më së miri adresohen dhe trajtohen nga komuna e Vushtrrisë, Gjakovës dhe Gjilanit. Këto tri komuna kanë shënuar përmirësime të dukshme krahasuar me raportin e parë.

    Transparenca
    Gjatë fazës së analizimit të të dhënave, D+ ka identifikuar se Komuna e Prishtinës jo vetëm që ndanë praktikat e mira në transparencë, por gjithashtu ka një platformë të “Open Data”, e cila në mënyrë të vazhdueshme i mban të informuar qytetarët e saj për aktivitetet e prokurimit dhe menaxhimin e kontratave. Kjo platformë ju ndihmon shumë qytetarëve të Prishtinës të jenë të informuar, si dhe i ofron sektorit privat besimin për të aplikuar për tenderët publikë. Krahasuar me raportin e parë, Prishtina e ka ngritur edhe më tej transparencën, duke marrë kështu pikët maksimale të mundshme. Komuna e Gjakovës, gjithashtu ka treguar përpjekje për të siguruar transparencën, duke qenë komuna e parë që ka publikuar kontratat, ndërsa e ranguara e dyta në indikatorin e transparencës. Komuna e Pejës mund ta përmirësojë transparencën duke ofruar qasje më të lehtë në informatat publike për qytetarët dhe duke përmirësuar ueb-faqen e saj, veçanërisht në pjesën e prokurimit.

    Konkurrenca
    Ky indikator analizon nivelin e konkurrencës së lirë dhe të drejtë në tenderët komunal. Komunat e Kosovës duhet të zbatojnë të gjitha procedurat e nevojshme për t’u siguruar që konkurrenca të mos dëmtohet nga përkatësitë politike ose familjare, por përkundrazi të nxisin konkurrencën dhe të shpërblehen me tenderë në bazë të meritës. Në këtë drejtim, Komuna e Prishtinës ka dhënë rezultatet më të mira në krahasim me katër komunat e tjera. Komuna e Vushtrrisë dhe Gjakovës gjithashtu nuk janë shumë prapa në këtë drejtim, pasi të njëjtat ndajnë praktika të qëndrueshme për të siguruar që konkurrenca të zhvillohet në mënyrë sa më efektive.

    Përfshirja Qytetare
    Treguesi i fundit ka të bëjë me angazhimin qytetar në ciklin e prokurimit publik. Qytetarët, OShC-të dhe mediat përcjellin procesin e prokurimit publik dhe është brenda të drejtave të tyre për t’u informuar dhe për t’u përfshirë në aktivitetet e prokurimit që zhvillohen nga autoritetet kontraktuese. Komunat duhet të krijojnë mundësi për një koordinim më të mirë me qytetarët dhe t’i përfshijnë ato në procese që janë me interes publik. Sipas këtij treguesi, nuk ka dallime të mëdha në angazhimin e komunave për përfshirjen e qytetarëve në prokurim publik. Megjithatë, raporti ka gjetur se komuna e Pejës dhe Vushtrrisë janë më shumë të angazhuara në informimin e qytetarëve të tyre.

    Më poshtë i gjeni fotot e prezantimit:

    1. Foto 1
    2. Foto 2



    Lajmet e Rekomanduara

    Raporti i Auditimit për vitin 2018

    më shumë

    Publikohet analiza “Shfrytëzimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta…

    më shumë

    Prezantimi i Raportit të dytë ‘Matësi i performancës në prokurim…

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit