SHQENGSRB

“Security Code” ankohet se Dogana e Kosovës shpalli fituese kompaninë pa e pasur një licencë të domosdoshme

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 21.02.2018 | 3 min
  • Salla e OSHP-se

    Raporton: Arbelina Dedushaj

    Prishtinë- Pronari i kompanisë ankuese,“Security Code”, Esat Tahiri tha se Dogana e Kosovës në tenderin për sigurimin e objekteve të saj ka shpallur fituese kompaninë “Besa Security”, pa pasur licencë për përdorimin e shufrave dhe prangave, e njohur ndryshe si leje e kategorisë D3.

    Këtë pretendim, përveç se në ankesë Tahiri e tha edhe në seancën e së martës, para Organit Shqyrtues të Prokurimit (OShP).

    Lidhur me këtë ai tha se autoriteti kontraktues dhe eksperti shqyrtues janë vënë në lajthitje nga një interpretim i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB).

    Kjo e fundit në përgjigjen e dhënë Doganës, e  cila i kishte kërkuar një interpretim, kishte theksuar se punëtorët e sigurimit të licencuar me licencë përkatëse të aranzhuar përmes kompanisë private të sigurimit për ofrimin e shërbimeve themelore kanë autorizimin ligjor për posedimin dhe përdormini e pajisjeve të sigurimit gjatë detyrës zyrtare. Pra, sipas MPB-së në raste të tilla një leje e tillë nuk është e nevojshme.

    Bazuar në këtë interpretim të MPB-së edhe eksperti shqyrtues, Basri Fazliu pretendimin e Tahirit lidhur me këtë pjesë e kishte  kishte vlerësuar si të pabazë, ku pastaj edhe i kishte propozuar panelit që këtij operatori t’i hudhet ankesa.

    Fazliu në mendimin e tij në ekspertizë kishte rekomanduar që autoriteti kontraktues, në këtë rast Dogana të vazhdojë me njoftimin për dhënien e kontratës për këtë aktivitet.

    Por, në seancës e së martës, ky ekspert pasi u njoftua nga kompania ankuese se të njëjtën leje e posedon, i njëjti deklaroi se në këtë rast vet MPB-ja është në kontradiktë me vetveten, pasi në njërën anë thekson që nuk është e nevojshëm një leje e tillë e nga ana tjetër lëshon leje të tilla.

    E Tahiri thotë se Dogana e Kosovës, si autoritet kontraktues nuk i është përmbajtur as kërkesave që i ka paraqitur në dosjen e vet të tenderit për ta respektuar Ligjin e Punës lidhur me pushimin vjetor, punën gjatë festave dhe orët shtesë gjatë natës.

    Sipas tij, edhe pse kishin ofertuar me çmime më të shtrenjta, kishin qenë të përgjegjshëm, pasi kishin plotësuar të gjitha kërkesat e kërkuara për dallim nga kompania fituese.

    Ndërkaq, për këto pretendime ankimore u përgjigj përfaqësuesja e Doganës, Arbëresha Osmanaj, e cila kërkoi nga paneli që të mbetet në fuqi vendimi i tyre për disa nga arsyet që ajo përmendi në këtë seancë.

    Ajo tha se komisioni vlerësues gjatë vlerësimit  të këtij tenderi ka konkluduar se çmimi 1.18 euro për orë pune të një punëtori të sigurimit i plotëson kushtet e pagës minimale në nivel shtetëror.

    Osmanaj tha për panelin se me kompaninë ankuese e kanë një kontratë aktuale, e çmimi për orë pune është edhe më i lirë, me vetëm 1.15, e sipas saj tani e njëjta kompani ankohet se kompania fituese nuk i plotëson kushtet e pagës minimale.

    E për këtë Tahiri pati një përgjigje, i cili tha se kontratën aktuale kanë pasur humbje si kompani, prandaj edhe kishin ofertuar me çmime me të larta, bazuar edhe në kërkesat në dosje të tenderit.

    Ndërkaq, sa i përket lejes së kategorisë D3, Osmanaj tha se e kishin kuptuar më vonë se ajo nuk është e domosdoshme, vetëm pas përgjigjes së MPB-së.

    “Duke qenë se “Besa Security” ka dëshmuar leje të tjera me përjashtim  të lejes D3, komisioni vlerësues ka vlerësuar se e njëjta është operator ekonomik i përgjegjshëm dhe mund të rekomandohet për dhënie të kontratës”, tha e njëjta.

    Kompania e shpallur fituese “Besa Security” kishte ofertuar me 386,890.14 euro, ndërsa kompania ankuese “Security Code” me 409,841.25 euro, e kriter për dhënien e kontratës kishte qenë tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të lirë.




    Lajmet e Rekomanduara

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platforma Flamujt e Kuq – Kërkesë për oferta

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit