SHQENGSRB

Raporti i institucioneve publike me ofrimin e qasjes në dokumente publike – përgjigje sipërfaqësore, mungesë të dhënash përmbajtësore dhe të përdorshme

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 29.05.2018 | 11 min
  • Demokraci Plus në gjashtë-mujorin e parë të vitit 2018 ka dërguar rreth 50 kërkesa për qasje në dokumente publike në 20 institucione publike, duke përfshirë pesë komuna, pesë ministri/ZKM, pesë ndërmarrje publike dhe pesë agjenci të pavarura. Nga këto, 16 sosh janë përgjigjur në kërkesat e D+ ndërsa katër institucione nuk janë përgjigjur fare, pra 80% e institucioneve janë përgjegjur, mirëpo kualiteti i përgjigjeve të ofruara ka qenë i ulët, ndërsa të dhënat gjysmake dhe shumë të mangëta.

    Demokraci Plus

    Sipas Ligjit për Qasje në Dokumnete Publike në Kosovë, kërkesat për qasje në informacion mund të bëhen gojarisht apo me shkrim. Megjithatë, në praktikë, institucionet shpeshherë preferojnë që të marrin kërkesat në formë të shkruar. Ligji po ashtu parasheh një pagesë që mund të kërkohet në rastet kur dokumentet duhet të transkriptohen apo të përkthehen.

    Institucionet publike kanë për obligim ligjor që të përgjigjen brenda shtatë ditëve, dhe në rastet kur institucioni publik nuk përgjigjet, atëherë aplikuesi ka të drejtë të iniciojë rastin te Avokati i Popullit apo në Gjykatë.

    Sidoqoftë, edhe pse Ligji për Qasje në Dokumente Publike mëton të sigurojë të drejtën e qasjes në informata publike, sipas Raportit për Kosovën për vitin 2017, të publikuar në prill të vitit 2018  “implementimi mbetet i pabarabartë. Ligji kërkon rishikim të thukët për të adresuar implementimin sfidues dhe të fragmentuar”.

    Në Kosovë, shumica e kërkesave për qasje në dokumente publike bëhen nga gazetarët dhe shoqëria civile, përderisa qytetarët dërgojnë shumë pak kërkesa – kryesisht, për shkak të mungesës së njohurive të mjaftueshme për të drejtat e tyre.

    Megjithatë, në raportin e fundit publik të Zyrës së Kryeministrit për realizimin e qasjes në dokumente publike (për vitin 2016) nga të gjitha institucionet shtetërore, 2,169 kërkesa janë parashtruar në Institucionet publike, 2,050 sosh kanë marrë përgjigje pozitive, janë refuzuar 22 kërkesa, ndërsa 12 sosh u është lejuar qasje e kufizuar. Ky raport i ZKM po ashtu thekson se në zyrën e Avokatit të Popullit për vitin 2016 janë trajtuar 26 ankesa lidhur me kufizimin e të drejtës për qasje në dokumente publike, nga të cilat vetëm dy janë bërë nga gazetarët.

    Megjtihatë, rruga e OJQ-ve dhe gazetarëve në sigurimin e qasjes në dokumente publike dhe informacion si dhe avokimi për të trajtuar këtë çështje me seriozitet, ka qenë e vështirë, sfiduese dhe në disa raste ka zgjatur edhe deri në 6-7 vite.

    OJQ-të sfidojnë institucionet jo-transparente në Gjykata

    Siç edhe ka raportuar Insajderi, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese – BIRN, Lëvizja FOL dhe KOSID kanë ndjekur të gjitha rrugët ligjore për siguruar transparencë dhe llogaridhënie të institucioneve publike lidhur me disa nga kontratat dhe shpenzimet më të mëdha të realizuara nga buxheti i vendit.

    Në rastin e BIRN, kjo e fundit kishte  kërkuar qasje në shpenzimet e zyrtarëve më të lartë të Qeverisë së Kosovës, ndërsa Zyra e Kryeministrit kishte refuzuar të ofroj dëshmitë e shpenzimeve të zyrtarëve publik. Kjo e fundit e kishte arsyetuar vendimin refuzues me mbrojtjen e të dhënave personale.

    BIRN e pati paditur Zyrën e Kryeministrit në vitin 2013. Gjykata Themelore e Prishtinës në maj të vitit 2015 i jep të drejtë BIRN-it në qasjen në shpenzime, me arsyetimin se shpenzimet e zyrtarëve e veçanërisht zyrtarëve të lartë, janë para të mbledhura nga taksat dhe tatimet që paguajnë qytetarët e Kosovës.

    “… dhe nga ky aspekt ata kanë drejtpërsëdrejti interes të arsyeshëm të informohen për çdo cent, se ku i shpenzojnë zyrtarët publik të cilëve u janë besuar autorizimet publike dhe nga ky fakt ata duhet të mbahen përgjegjës për ato shpenzime”, thuhet në aktgjykim.

    Ministria e Zhvillimit Ekonokimik përgjatë dy viteve nuk i ishte përgjigjur pozitivisht kërkesave të Konsorciumit Kosovar të Shoqërisë Civile për Zhvillim të Qëndrueshëm (KOSID).

    Organizatat anëtare të KOSID, gjatë periudhës 2011-2013 kishin parashtruar me dhjetëra kërkesa për qasje në dokumente publike në proceset e privatizimit. Sipas KOSID-it, të gjitha kërkesat janë refuzuar nga MZhE me arsyetimin se ato dokumente janë drafte dhe janë dokumente të klasifikuara për të cilat nuk lejohet qasje.

    Pikërisht për këtë shkak, më 3 qershor 2013, Instituti GAP në emër të KOSID-it, ka ushtruar padi kundër MZhE-së për moslejim të qasjes në dokumente publike.

    Por në dhjetor të vitit 2017, Gjykata Themelore e Prishtinës, i kishte hedhur poshtë arsyetimet e MZHE-së, duke i dhënë të drejtë GAP-it në kërkesa.

    “Aprovohet si e bazuar kërkesëpadia e Institutit për Studime të Avancuara GAP. Detyrohet i padituri Ministria e Zhvillimit Ekonomik në Prishtinë që brenda 30 ditëve nga dita e pranimit të këtij aktgjykimi, t’i lejohet paditësit Instituti për Studime të Avancuara GAP me seli në Prishtinë, të ketë qasje në dokumentet publike që lidhen me procesin e privatizimit të KEDS-së dhe Ofertimit të Projektit “Kosova e Re”, thuhet në aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, që mban datën 12 dhjetor 2017.

    Pas këtij veprimi të gjykatës, në janar të këtij viti Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka bërë publike marrëveshjet komerciale të nënshkruara ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe kompanisë “Contour Global”.

    Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, tha se çdo vonesë e publikimit është si pasojë e aprovimit të publikimit të saj edhe nga ana e investitorit “Contour Global”.

    Në mars të këtij viti, Lëvizja FOL ka fituar rastin e padisë ndaj Ministrisë së Infrastrukturës e cila para tetë viteve i kishte refuzuar kërkesën për qasje në dokumentet publike, konkretisht qasjes në kontratën për ndërtimin e autostradës Morinë- Merdare.

    Gjykata Themelore të Prishtinës, i dha të drejtë padisë së “Lëvizjes FOL”, duke detyruar Ministrinë e Infrastrukturës që brenda 30 ditëve t`i lejoj qasje në “Dosjen e tenderit për ndërtimin e autostradës për ndërtimin e autostradës Morinë-Merdare dhe kopjen e kontratës për ndërtimin e kësaj autostrade”.

    Megjithatë, edhe pse ekzistojnë vendimet e plotfuqishme të gjykatave në disa nga rastet e sipërpërmendura, jo të gjitha pikat e aktgjykimeve janë ekzekutuar.

    78% e institucioneve nuk u japin qasje gazetarëve

    Hiq më lehtë nuk e kanë qasjen në dokumente publike as gazetarët në Kosovë. Kështu, Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, organizata për mbrojtjen e gazetarëve në Kosovë, është njoftuar me disa nga rastet kur gazetarëve iu është refuzuar kërkesa për qasje në dokumente publike.

    Në një përgjigje të këtij Asociacioni dhënë Insajderit, thuhet se në momentin kur gazetarët kanë raportuar në lidhje me këto raste, AGK ka reaguar, me ç’rast ka kërkuar që institucionet të jenë të hapura dhe transparente për qasje në dokumente publike si dhe më bashkëpunuese në kthimin e përgjigjeve për mediet dhe gazetarët.

    Madje AGK në raportin “Treguesit e nivelit të lirisë së medieve dhe sigurisë së gazetarëve” për vitin 2016, ka anketuar mbi 50 gazetarë të cilët ishin anketuar për këtë raport

    “ 78% e tyre kishin theksuar se institucionet kanë refuzuar t’u japin atyre dokumentet e kërkuara”, thuhet në përgjigjen e AGK-së për Insajderi.

    Pavarësisht këtyre rasteve, ka edhe institucione që janë treguar korrekte me gazetarët dhe mediat duke u ofruar qasje në informata dhe dokumente zyrtare.

    80% e institucioneve të testuara nga D+ ofrojnë të dhëna, por sipërfaqësore dhe të pamjaftueshme

    Me qëllim të sfidimit të mëtutjeshëm të institucioneve publike dhe testimit të nivelit të përgjigjshmërisë dhe nivelit të ofrimit të qasjes si dhe kualitetit të informatave të ofruara, D+ ka dërguar kërkesa për qasje në dokumente publike në 20 institucione të niveleve të ndryshme, duke përzgjedhur temën e reklamave/marketingut në media.

    Për të bërë këtë testim, fillimisht, D+ ka përzgjedhur 20 institucionet e synuara, përkatësisht, pesë (5) ndërmarrje publike, pesë (5) institucione të pavarura, pesë (5) komuna dhe pesë (5) ministri të Qeverisë së Kosovës. Në përzgjedhjen e institucioneve janë marrë parasysh karakteri i tyre, madhësia, përkatësia politike e krerëve të institucionit dhe është mëtuar të bëhet një kombinim dhe balancim, për të pasur një pasqyrë sa më reale të vullnetit për të ofruar qasje në të dhënat e reklamimit të tyre në media si dhe kualitetit të informacioneve të ofruara.

    Kështu, janë përzgjedhur institucionet në vijim: komunat e Gjakovës, Prizrenit, Shtimes, Vushtrrisë dhe Mitrovicës së Jugut; institucioneve të pavarura si Zyrës Kombëtare të Auditimit, Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Organit Shqyrtues të Prokurimit, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Bankës Qendrore të Kosovës; ministrive si ministrisë së Ambientit, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës si dhe ndërmarrjeve publike Telekomi i Kosovës, Posta e Kosovës, Korporata Energjetike e Kosovës, Operatori i Transmisionit dhe Tregut – KOSST dhe TrainKos.

    Për këtë qëllim, në pjesën e parë të vitit 2018, D+ ka dërguar rreth 50 kërkesa për qasje në dokumente zyrtare, letra apo telefonata përcjellëse duke kërkuar nga këto institucione informacione rreth reklamave të kontraktuara në media të ndryshme lokale apo nacionale gjatë vitit 2017.

    Nga të gjitha institucionet ku janë dërguar kërkesat për qasje në dokumente publike, në 16 nga 20 institucionet e përzgjedhura ka pasur përgjigje, çoftë me shkrim përmes postës elektronike, telefonatave apo në kopje fizike. Megjithatë, kualiteti i informacioneve të ofruara ka lënë shumë për të dëshiruar, ngase përgjigjet e dhëna kanë qenë aq të mangëta, sa që nuk mund të shërbejnë as për qëllime krahasimore.

    Megjithatë, ka pasur disa institucione që kanë ofruar informacione më të plota, si për shembull komuna e Vushtrisë, që është përgjigjur me shkrim dhe ka njoftuar që të gjitha reklamat, shpalljet, konkurset dhe transmetimin e aktiviteteve të komunës i ka të kontraktuara përmes kontratave kornizë, me Kosova Sot (e lidhur me 17.03.2015 për periudhë tre vjeçare në vlerë prej 5,959 euro) dhe Radio Vicianum (lidhur me 15.09.2016 për periudhë tre vjeçare në shumë prej 10,772 euro) dhe ka ofruar detaje për pagesat në vlerë prej 6,034 euro të realizuara për kontraktuesit gjatë vitit 2017, në kuadër të kontratave kornizë.

    Ngjashëm edhe komuna e Gjakovës ka ofruar të dhëna të mjaftueshme për kontratat e lidhura si atë me televizionin lokal “Syri Vision” (e lidhur me 03.05.2017 për periudhë dy vjeçare në vlerë prej 50,000 euro) dhe “Kosova Press” (e lidhur me datë 21.10.2015 për periudhë dy vjeçare në vlerë prej 9,780 euro). Këto kontrata janë bërë me qëllim të transmetimit televiziv të drejtpërdrejtë të seancave të Kuvendit Komunal si dhe përcjelljes së aktiviteteve të komunës  (Syri Vision) në njërën anë si dhe promovimin e komunës në nivelin qendror (Kosova Press).

    Komuna e Mitrovicës ka njoftuar se ka nënshkruar kontratë kornizë për 36 muaj në vitin 2016 me RTV Mitrovicën për të përcjelljur mbledhjet e Kuvendit Komunal, Komitetit për Politikë dhe Financa dhe të gjitha aktivitetet e Kryetarit në komunë dhe jashtë saj si dhe të gjitha publikimet si njoftimet, konkurset apo publikimet e tjera. Megjithatë, komuna nuk ka treguar se sa ka kushtuar kjo kontratë kornizë për realizimin e shërbimeve në fjalë.

    Komuna e Prizrenit në anën tjetër ka njoftuar që ka pasur kontratë në vlerë prej 9,895 euro me Televizionin Opionion në Prizren për të bërë transmetimin e mbledhjeve të Kuvendit Komunal të Prizrenit, të Komitetit për Politikë dhe Financa, njoftime dhe reklama të ndryshme, transmetimin e ngjarjeve jashtë objektit të komunës, të tryezave, konferencave etj.

    KOSTT ka njoftuar në mënyrë të detajuar se gjatë vitit 2017, në gazetën Bota Sot ka publikuar 10 publikime/konkurse, në gazetën Zëri 14 publikime, në Rilindja 12 sosh, në Kohë Ditore 12 sosh, në Epoka e Re ka publikuar dy sosh po aq sa edhe në Kosova Sot. Për këto shërbime ka paguar 310 euro në Bota Sot; 1,892 euro në Zëri; 1,358 euro në Rilindja; 1,496 në Kohë Ditore, nga 50 euro në Epoka e Re dhe në Kosova Sot.

    MAPL ka njoftuar përmes shkresës zyrtare për të gjithë procedurën e prokurimit për përzgjedhjen e mediumit për “shërbime të publikimeve në gazeta ditore (reklama dhe konkurse) për nevoja të MAPL”, me ç’rast është përzgjedhur gazeta Zëri në shumë prej 2,000 eurosh, të nëshkruar me 02.03.2017.

    MZhE në anën tjetër ka ofruar informacione më të përgjithësuara, pa qartësuar shumë detajet, për shumën prej 36,931euro. Shih për këtë, MZhE ka njoftuar që ka paguar shumën prej 8200 euro për publikime/shpallje/konkurse për gazetat ditore, 21, 936.61 për portalet për banera për EE dhe BRE si dhe 6795,01 euro për Agjenci/Produksione për punimin e video-raporteve të MZhE.

    Zyra Kombëtare e Auditimit ka njoftuar se ka shpenzuar shumën prej 4,729 euro për konkurse duke ofruar raportin financiar, ndërsa ka njoftuar që të gjitha aktivitetet e prokurimit si kontratat për furnizime dhe shpenzime i ka publikuar përmes KRPP-së dhe nuk ka pasur asnjë shpallje apo reklamim në asnjë tip të mediave.

    Edhe Posta e Kosovës ka njoftuar se nuk ka pasur asnjë procedurë të prokurimit gjatë vitit 2017 për reklamim në mediat televizive vendore, mediat e shtypura si dhe mediat në internet.

    Zyra e Kryeministrit përmes një shkrese të shkurtë vetëm ka njoftuar që sipas Zyrës së Prokurimit, ZKM ka kontratë për publikimin e konkurseve, shpalljeve dhe publikimeve të tjera me të përditshmen “Epoka e Re”, në vlerë prej 5,960 euro për një periudhë prej tri vitesh, në kuadër të kontratës kornizë, dhe ka njoftuar që e ka përzgjedhur këtë të përditshme sipas procedurave të hapura të prokurimit.

    E në anën tjetër, Ministria e Drejtësisë ka ofruar vetëm shumën e parave për vitin 2017 e që ka qenë në shumën prej 8,674 euro e që është bërë për qëllime të konkurseve të publikuara, përsëritje të konkurseve, njoftime etj., mirëpo në përgjigjen e Ministrisë së Drejtësisë nuk ka pasur asnjë detaj rreth mediumeve te të cilat është shpërndarë kjo shumë e parave.

    OShP ka njoftuar se nuk ka ndonjë kontratë me media për cfarëdo shërbimi, mirëpo që përdor kontratën në mes të Agjencisë Qendrore të Prokurimit Publik me Gazetën Bota Sot, përmes së cilës bëhet shpërndarja e konkurseve në këtë gazetë. OShP ka bashkangjitur edhe kopjet e konkurseve të publikuara.

    Banka Qendrore e Kosovës në anën tjetër ka njoftuar se nuk bënë reklamim në formë të marketingut, por shpalljet, njoftimet dhe kontratat i publikon në faqen zyrtare në internet të këtij institucioni, mirëpo ka treguar që konkurset i shpallë edhe në dy gazate të përditshme të Kosovës me rotacion duke u siguruar që ka shpërndarje racionale për të gjitha gazetat ditore.

    AKP  ka qenë ndër institucionet e pakta që ka ofruar qasje të plotë dhe të detajshme, duke ofruar edhe kopjet fizike të të gjitha materialeve të kontratës dhe vetë kontratave me media. Kështu, sipas dokumentacionit të marrë nga AKP, ky institucion me 6 korrik 2017 ka publikuar njoftimin për nënshkrim të kontratës për Emetimin e TV reklamave dhe shpalljeve në televizionet kombëtare RTK, RTV21 dhe KTV dhe sipas njoftimit janë dhënë nga 10,000 euro për secilin televizion apo 30,000 euro në total për këtë shërbim. Ngjashëm, AKP ka njoftuar po ashtu që në muajin tetor 2017 ka nënshkruar kontratë me gazetat ditore Koha Ditore, Kosova Sot, Epoka e Re, Bota Sot dhe Zëri.

    Në anën tjetër, Telekomi i Kosovës ka kthyer një përgjigje në të cilën i ka bërë analizë kërkesës për qasje duke gjetur dispozita të Ligjit të Prokurimit Publik dhe njoftuar që ato janë publike në faqen e KRPP si dhe. duke u thirrë në nenin 12, pikën 1.7 të Ligjit të Prokurimit rreth dispozitave kufizuese rreth kontratave komerciale. Telekomi nuk ka ofruar dokumentet por vetëm ka propozuar një takim për të dhënë përgjigjet relevante.

    Nga 20 institucione të cilave D+ u ka dërguar kërkesa për qasje në dokumente publike, 16 sosh janë përgjigjur në kërkesa, ndërsa katër (4) nuk janë përgjigjur fare në kërkesat e dërguara. Nga 16 sosh sa janë përgjigjur, ka pasur mungesë të informacioneve se sa i kanë kushtuar taksapaguesve të këtyre institucioneve këto kontrata në pesë (5) raste, ndërsa në disa nga rastet e tjera ku ka pasur kontrata, janë ofruar edhe shumat e parave si dhe vetë kopjet e kontratave. Përvec kërkesës fillestare, D+ ka dërguar edhe kërkesa përcjellëse për tu rikujtuar zyrtarëve publik përgjegjës kërkesën tonë. Megjithatë, edhe pas përpjekjeve, këto institucione nuk janë përgjigjur: TrainKos, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, komuna e Shtimes, dhe Ministria e Ambientit. Në disa raste janë dërguar tri-katër kërkesa rikujtuese/ri-kërkesa, mirëpo përgjigjet nuk janë marrë.

    D+ do të testoj institucionet publike edhe në të ardhmen për t’i shtyrë që të angazhohen në fuqizimin e mekanizma brenda-institucional për të siguruar qasje të plotë, të papenguar dhe brenda afateve kohore për të gjitha palët e interesuara, duke kontribuuar kështu në përmirësimin e transparencës dhe llogaridhënies.

    Ky projekt financohet nga Bashkimi Europian përmes skemës së granteve të vogla “Mbrojtja e Lirisë së Mediave dhe Lirisë së Shprehjes në Ballkanin Perëndimor” zbatuar nga Asociacioni i Gazetarëve Kroat, si pjesë e projektit rajonal Platforma Rajonale e Ballkanit Perëndimor për Avokim të Lirisë së Mediave dhe Sigurisë së Gazetarëve, në partneritet me gjashtë asociacione rajonale të gazetarëve-Asociacioni i Gazetarëve të Pavarur të Serbisë (IJAS), Asociacioni i Gazetarëve të Bosnjës dhe Hercegovinës, Asociacioni i Gazetarëve Kroat (CJA), Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AJK), Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë (AJM) dhe Sinidikata e Mediave të Malit të Zi. Projekti ka filluar të zbatohet me 01 tetor 2017 dhe do të zgjasë deri me 31 maj 2018.




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit