SHQENGSRB

Përfaqësuesi i “Alpha Private Security” thotë se kompania fituese e tenderit ka borxh në ATK

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 14.02.2018 | 2 min
  • Raporton: Arbelina Dedushaj

    Prishtinë- Islam Ramaj, përfaqësues i kompanisë “Alpha Private Security” në seancës dëgjimore të mbajtur para Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), me kryesues Goran Milenkoviq, tha se kompania fituese “Rosa-Security”SH.P.K ka ende borxh në Administratën Tatimore të Kosovës (ATK).

    Sipas Ramajt, kjo kompani nuk i plotëson kërkesat e autoritetit kontraktues, përkatësisht Komunës së Gllogocit për ta fituar tenderin “Sigurimi fizik i tri objekteve – Gjimnazit “Skënderbeu” SHMP të Teknikës “Fehmi Lladrovci” dhe objektit të Komunës”.

    E njëjta kompani sipas tij, me qëllim të ikjes nga tatimet ishte shndërruar nga Ndërmarrje Tregtare Shërbyese (N.T.SH) në Shoqëri me Përgjegjësi të Kufizuar (SH.P.K.). Ai shtoi se “SFK Security” i ka mbetur borxh ATK-së rreth 100 mijë euro, ndërsa “Rosa Security”, rreth 20 mijë euro.

    Sipas Ramaj, një nder kriteret për dhënien e kontratës ka qenë edhe dorëzimi i listës së kontratave në vlerë minimale prej 80 mijë eurosh, e atë për vitet 2014, 2015 dhe 2016. Por, sipas tij këtë kriter nuk e kishte plotësuar “Rosa-Security”SH.P.K, por as kompania tjetër “SFK Security”.

    Ai u shpreh se si është e mundur që të njëjtët e kanë plotësuar këtë kriter, kur si kompani dhe si biznes i ri janë themeluar në vitin 2015.

    Ndërkaq, kompania të cilën e përfaqëson Ramaj, “Alpha Private Security” ishte eliminuar edhe për shkak të çmimit më të shtrenjtë, por sipas tij çmimin e ofruar e kanë bërë sipas kërkesave të komunës dhe në bazë të Ligjit të Punës.

    E për të shqyrtuar këtë lëndë, OSHP kishte caktuar ekspertin Enver Hyseni, i cili i kishte rekomanduar panelit që lëndën ta kthej në rivlerësim për shkak të disa shkeljeve ligjore.

    Një pjesë të kësaj ekspertize e kundërshtoi përfaqësuesi i Komunës së Gllogocit, Mehmet Rama. Ai tha se pjesa që ka të bëjë me kompaninë fituese “Rosa Security” është vetëm një gabim teknik te referencat e kërkuara. E në ekspertizë ishte theksuar si problem edhe mos kërkimi i informatave shtesë edhe nga operatoret tjerë ekonomik, por vetëm nga “Rosa Security”.

    Sikundër, përfaqësuesi i komunës theksoi se nuk pajtohet me mendimin e ekspertit që lënda të kthehet në rivlerësim dhe kërkoi nga paneli shqyrtues që me anë të vendimit të vërtetohet njoftimi për dhënien e kontratës për kompaninë fituese.

    Për deklaratat që Islam Ramaj i dha para panelit shqyrtues lidhur me borxhin në ATK edhe për kompaninë “SFK Security”, u përgjigj përfaqësuesi i kësaj të fundit, Kadri Gashi. Ai tha se kompania ka ekzistuar edhe më herët, por kanë vendosur që të kalojnë në shoqëri me përgjegjësi të kufizuar pas një vendimi të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

    Gashi tha se gjatë shndërrimit të statusit të kompanive është bërë një gabim nga një zyrtar i ministrisë, ku ka rezultuar me regjistrimin e kompanisë si biznes i ri.

    Ndryshe, më 11 dhjetor të vitit të kaluar, autoriteti kontraktues, përkatësisht komuna kishte lëshuar njoftim për kontratë, përmes të cilit e kishte shpallur fituese kompaninë “Rosa Security”, ku vlera e kontratës ishte 78,314.40 euro.




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit