SHQENGSRB

PARALAJMËROHET KALLËZIM PENAL KUNDËR ZYRTARËVE TË KEK-UT

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 23.05.2018 | 4 min
  • Zyra e Prokurimit e KEK-ut është paralajmëruar se do të denoncohet penalisht për shkak të keqpërdorimeve, në një tender prej gjysmë milionë eurosh. Ky shkrim është produkt i “Demokracia Plus”, e cila në vazhdimësi monitoron seancat dhe punën e OShP-së.

    Pronari i kompanisë “Primus Engineering”,  Burim Buraku, ka paralajmëruar se do të bëjë kallëzim penal kundër zyrtarëve të Zyrës së Prokurimit të Korporatës Energjetike të Kosovës. Ai pretendon se janë bërë shkelje ligjore në një tenderin për furnizim me klima industriale, në vlerë prej gjysmë milionë eurosh. Paralajmërimin e bëri në seancën e së martes të mbajtur në Organin Shqyrtues të Prokurimit.

    “Jemi të detyruar të procedojmë lëndën në institucione kompetente dhe të bëjmë kallëzim penal ndaj personave që kanë vepruar kundër ligjeve në fuqi”, deklaroi Buraku para panelit të OShP-së.

    Ai deklaroi klimat industriale shërbejnë për ftohjen e motorëve të bagerëve, të cilët bëjnë gërryerjen e thëngjillit, ku sipas tij vlera e vetëm një bageri arrin shumën deri në 80 milion euro. Po ashtu, ai shtoi se mosfurnizimi me këto klima mund të shkaktojë dëme jashtëzakonisht të mëdha.

    E arsyeja e eliminimit të kësaj kompanie nga ana e KEK, ishte mungesa e dorëzimit të një deklarate për liferimin e këtyre klimave, arsye të cilën pronari i kompanisë e kishte cilësuar si jo të qëndrueshme.

    “Arsyetimi i tillë është një fakt shtesë që KEK po tenton  të gjejë apo shpikë arsyetime se mungon një dokument, vetëm e vetëm për të na eliminuar”, ishte shprehur ai në ankesë.

    Po ashtu, ai shtoi se stërzgjatja e këtyre procedurave i kanë shkaktuar kompanisë të tij, përveç dëmeve materiale edhe prishje të imazhit si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

    Ndërkaq, përveç deklaratës për liferim, kjo kompani ishte eliminuar edhe për një listë të furnizimeve të ngjashme që dëshmon se ka  zbatuar kontrata të kësaj natyre, përkatësisht furnizim me klima.

    Por, edhe kjo arsye për eliminim, “Primus Engineering”, kishte theksuar se është e pabazë, pasi realisht kishin dorëzuar referenca edhe më shumë sesa janë kërkuar, të cilat kanë dëshmuar për furnizime  të tilla.

    Eksperti i shqyrtimit të lëndës konkludon se pretendimet e kompanisë private janë të bazuara

    Në favor të kësaj kompanie kishte dalë edhe raporti i ekspertit Hasim Krasniqi, i cili ishte caktuar nga OShP-ja që t’i shqyrtojë këto pretendime.

    Sipas këtij eksperti, arsyet e eliminimit nuk qëndrojnë, pasi nga ana e kompanisë “Primus Engineering”, ka fakte që këto kërkesa janë plotësuar konform dosjes së tenderit.

    Ai në ekspertizën e tij kishte theksuar se, KEK kishte cekur si afat të liferimit kohën prej një viti dhe se kërkesa për një deklaratë tjetër për liferim është kërkesë e dyfishtë. Ndërkaq, sa i përket arsyes së dytë për eliminim, ai përveç në raport edhe në seancën e së martës potencoi që edhe këtu bëhet fjalë për një gabim të autoritetit kontraktues.

    “E kam cekur edhe në raport dhe mendoj se KEK ka një mospërputhje në hartim të kërkesave dhe dëshmisë lidhur me kërkesën, pasi nga kompanitë ka kërkuar të dorëzojnë një referencë për furnizim dhe montim të ngjashëm në tri vitet e fundit, pra për vitet 2014-2015-2016. Ndërsa, për të njëjtën kërkesë ka kërkuar si dëshmi listë të furnizimeve të natyrës së ngjashme, që dëshmon për zbatimin e projekteve me klima”, tha Krasniqi.

    Por, sidoqoftë, sipas tij, “Primus Engineering” së bashku me dosje të tenderit ka dorëzuar disa referenca dhe kontrata për furnizime dhe shërbime të ngjashme që ndërlidhen me natyrën e këtij tenderi.

    Krasniqi në ekspertizën e tij, i kishte propozuar panelit shqyrtues që kompanisë ankuese t’i aprovohet ankesa si e bazuar dhe ta prish vendimin e KEK për anulim të tenderit, ndërkaq lënda të kthehet përsëri në rivlerësim.

    KEK: Ankesa e kompanisë është e pabazuar

    Në seancën e së martës, i pranishëm ishte edhe përfaqësuesi i KEK, Mustafa Kavaja, i cili përveç pretendimeve të “Primus Engineering”, kundërshtoi edhe ekspertizën në fjalë. I njëjti, edhe para panelit ceki sërish arsyet se pse kjo kompani ishte eliminuar nga tenderi.

    “Në pikën 6 të specifikimit teknik përveç deklaratës për garancionin e produkteve të ofruar është kërkuar edhe deklarata për kohën e liferimit, pavarësisht se është dhënë afati për liferim të pajisjeve”, tha Kavaja.

    Ai tha se lidhur me këtë çështje, KEK si autoritet kontraktues kishte kërkuar interpretim ligjor nga ana e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), në bazën e të cilës edhe kishin marrë vendimin për eliminim.

    “Nëse afatet e liferimit janë kërkuar në dosje të tenderit dhe në njoftimin për kontratë, të njëjtat janë kushte që duhet plotësuar nga ana e operatori ekonomik”, thuhet në një pjesë të këtij interpretimi.

    Kavaja në fund kërkoi që ankesa e kompanisë ankues të refuzohet si e pabazuar dhe të mbetet në fuqi vendimi për anulim të tenderit.

    Ndryshe, ky tender ka dy vite që është shpallur dhe për të njëjtin akoma nuk është përmbyllur procesi i prokurimit për shkak të ankesës së “Primus Engineering”, meqë KEK kishte vendosur që të gjithë kompanitë ankues t’i shpallë si të papërgjegjshme.

    Lidhur me këtë rast , OShP kishte vendosur edhe më herët, duke e kthyer lëndën dy herë në rivlerësim, me ç’ rast e njëjta ishte kthyer në pikën zero.

    Ky shkrim është produkt i “Demokracia Plus”, e cila në vazhdimësi monitoron seancat dhe punën e OShP-së.




    Lajmet e Rekomanduara

    Publikohet analiza “Shfrytëzimi i marrëveshjeve për shërbime të veçanta…

    më shumë

    Prezantimi i Raportit të dytë ‘Matësi i performancës në prokurim…

    më shumë

    Publikohet analiza “Strategjitë gjithëpërfshirëse të Qeverisë, niveli i…

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit