SHQENGSRB

OSHP i tërheq vërejtjen Ministrisë së Shëndetësisë për procedura të negociuara të prokurimit

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 25.01.2018 | 3 min
  • Raporton: Arbelina DEDUSHAJ

    Prishtinë – Në seancën e së mërkurës, Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i njohur ndryshe si gjykata e tenderëve i tërhoqi vërejtjen Ministrisë së Shëndetësisë (MSH), pasi kjo e fundit që nga paslufta ndjekë procedura të negocimit me kompaninë “Meditech”. Nga ajo kohë, kjo kompani kësaj ministrie i ofron material shpenzues për aparatet e Hemodializës.

    Kjo lëndë në OSHP kishte ardhur pas ankesës së kompanisë “Liri-Med”, e cila pretendon se është shkelur Ligji për Prokurimin Publik (LPP), duke rënë kështu qëllimisht në vonesë për mos të ndjekur procedurë të hapur të prokurimit për këtë tender.

    Sipas dispozitave ligjore, në momentin kur ka ankesë ndaj ndonjë tenderi, procedura pezullohet, por pas kërkesës së ministrisë, paneli shqyrtues kishte vendosur që ta pushojë vendimin për pezullim. Sipas kryesuesit Blerim Dina ky vendim ishte marrë, pasi bëhej fjalë për furnizim me material shpenzues për aparate që janë të domosdoshme për jetën e qytetarëve të Kosovës.

    “E kemi heq pezullimin pasi ka qenë në pyetje jeta e njerëzve, por tani e tutje përgjegjës do të jeni ju për gjendjet emergjente”, kështu iu drejtuar Dina përfaqësuesit të kësaj ministrie, Berat Marmullakut.

    Ky i fundit u shpreh se po bëjnë përpjekje që tani e tutje procedura të jetë e hapur për këtë tender dhe të jetë i ndarë në llote dhe se po mundohen të mos vihen në vonesë duke shkaktuar kështu nevoja emergjente për furnizim.

    Prezent ishte edhe pronari i kompanisë ankuese “Liri-Med”, Lirim Mustafa, i cili i qëndroi prapa pretendimeve të tij që i kishte paraqitur në ankesën e  ushtruar ndaj MSH-së. Ai tha se  procedura që po ndjek MSH-ja për këtë tender po e dëmtojnë buxhetin e shtetit në vlera të konsiderueshme, kjo për shkak të moslejimit të konkurrencës.

    Ai tha se autoritetin kontraktues, në këtë rast MSH-në e kishin njoftuar se përveç “Meditech” ekzistojnë edhe 3 deri ne 4 prodhues tjerë me renome  botërore, të cilat kanë mundësi që të furnizojnë me materialin e njëjtë apo kompatibil. “Ne e kemi njoftuar ministrinë se oferta jonë do të jetë 10 deri në 20 % më e lirë sesa e kompanisë që është shpallur fituese”, tha Mustafa.

    Sipas Mustafës, gjendja që e paraqet ministria nuk është reale, pasi nevoja emergjente është paraqitur vetëm për dy produkte nga lista esenciale e jo për gjashtë siç thuhet në njoftimin e saj.

    Kjo kompani ishte e pakënaqur edhe me konstatimet e ekspertit shqyrtues, Muhamet Kurtishaj, të cilin e kishte caktuar OSHP-ja për ta shqyrtuar lëndën. Sipas Mustafës, në ekspertizë thuhet se ky aktivitet i prokurimit herën e parë ka dështuar edhe pse kanë tenderuar disa operatorë ekonomik, me  ç’gjë i njëjti tha se nuk pajtohet pasi ky aktivitet është zhvilluar vetëm me kompaninë fituese.

    Edhe eksperti Kurtishaj u deklarua para panelit shqyrtues lidhur me konstatimet që i kishte theksuar në raportin e tij, e i cili e arsyetoi vendimin e ministrisë.

    “Aktiviteti i prokurimit ka dështuar një herë për shkak të ankesave të operatorëve ekonomik dhe tani autoriteti kontraktues në situatën që ka ardhë sipas vlerësimit tim është detyruar që ta aplikojë këtë lloj procedure, në mënyrë që të bëjë një zgjidhje”, tha Kurtishaj.

    Po ashtu, ai shtoi se këto procedura është mirë të shmangen, mirëpo në situata emergjente detyrimisht duhet të zbatohen pasi edhe ligji e parasheh një gjë të tillë.

    Në këtë tender kriter kishte qenë çmimi më i ulët, të cilin komisioni prej tre anëtarësh i MSH-së pas vlerësimit dhe krahasimit kishte rekomanduar për kontratë operatorin ekonomik “Meditech”, vlera e të cilit ofertues kishte qenë 1,059,949.00 euro.

    Më 27 nëntor të vitit të kaluar, datë të cilën ishte bërë njoftimi për dhënie të kontratës me “Meditech”, operatori ankues “Liri-Med” kishte parashtruar kërkesë për rishqyrtim pranë ministrisë, të cilën kjo e fundit e kishte refuzuar.

    Ndërkaq, pas një muaj, saktësisht më 27 dhjetor 2017, kjo lëndë kishte shkuar në OSHP nga ankesa e të njëjtit operator ankues, në bazë të së cilës edhe u zhvillua kjo seancë.




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit