SHQENGSRB

Ndjekje e ngathtë e sulmuesve të gazetarëve

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 12.03.2018 | 4 min
  • Organizata Demokraci Plus (D+) dhe Gazeta Online Insajderi, kanë mbajtur një tryezë diskutimi në të cilën është debatuar në lidhje me lirinë e shprehjes dhe sigurinë e gazetarëve në Kosovë. Qëllimi i kësaj tryeze ka qenë diskutimi mbi sigurinë e gazetarëve dhe hapave institucional që po ndërmerren në zbulimin dhe ndjekjen penale të personave që kërcënojnë apo sulmojnë gazetarët gjatë kryerjes së punës së tyre.

    Isuf Zejna Menaxher i Programit në D+ ka thënë se rritja e numrit të sulmeve dhe kërcënimeve ndaj gazetarëve është një nga arsyet pse D+ dhe Insajderi kanë vendosur të merren më seriozisht me këtë temë. Sipas Zejnës aktualisht gazetaria përballet me tre probleme kryesore: 1. Siguria e gazetarëve nga sulmet, kërcënimet apo hakmarrja; 2. Varësia financiare nga institucionet qeveritare dhe kompanitë private të afërta me pushtetin; dhe, 3. Qasja në informacione dhe dokumente publike. Një ndër faktorët që po ndikon në nxitjen e sulmeve ndaj gazetarëve është përmendur edhe gjuha e urrejtjes e disa prej deputetëve apo politikaneve kanë përdorur në raport me mediat, të cilat nxisin njerëzit të kërcënojnë apo sulmojnë gazetarët. Për më tepër politikat ndëshkimore të gjyqësorit për rastet e sulmeve ndaj gazetarëve janë cilësuar si tepër e butë dhe e cila nuk kontribuon në parandalimin e rasteve në të ardhmen.

    Abelard Tahiri Ministër i Drejtësisë, ka shprehur gatishmërinë e Ministrisë që ai drejton për të plotësuar ligjet dhe për të kontribuar në zbatimin sa më efikas të këtij legjislacioni. Po ashtu Ministri ka shprehur gatishmërinë që të ndihmojë në fushata të edukimit për të ngritur nivelin e vetëdijes qytetare në lidhje me rolin e medias. Ai i ka bërë thirrje gazetarëve që të vazhdojnë punën hulumtuese dhe të zbulojnë e publikojnë rastet e korrupsionit, përkundër faktit se kjo mund të mos i pëlqej një grupi njerëzish.

    Parim Olluri Drejtor Ekzekuti i Insajderit ka thënë se institucionet e Kosovës sidomos gjyqësori dhe Policia e Kosovës janë të ngathta në trajtimin e rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve. Për këtë ka ndikuar edhe gjuha e urrejtjes nga disa deputetë të cilët keqpërdorin foltoren e Kuvendit për të shprehur gjuhë të urrejtjes ndaj disa gazetarëve e që kjo më pas pasohet nga një fushatë e sulmeve në rrjete sociale të cilat Policia i injoron. Olluri ka kërkuar që të ndryshohet rregullativa ligjore për të obliguar Policinë që të trajtoj rastet e kërcënimeve për gazetarët me procedura të përshpejtuara. Sipas Ollurit asnjë sulmues nuk është dënuar me burgim efektiv për sulm fizik ndaj gazetarëve dhe kjo u ka shërbyer që numri i kërcënimeve dhe sulmeve të rritet. Ai është shprehur i pakënaqur edhe me hetimin e rastit të sulmit fizik që ka pasur para disa muajsh ku Policia nuk ka kryer hetimet e duhura për të identifikuar sulmuesit.

    Petrit Çollaku nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka deklaruar se AGK ka tre vite që angazhohen në fushën e sigurisë së gazetarëve dhe lirinë e shprehjes me çka edhe ka filluar ndarjen e disa granteve për media dhe OJQ. Siguria e gazetarëve ka shënuar regres në vitet e fundit në të gjithë rajonin dhe kjo tregon një trend të vështirësimit të punës së gazetarëve të cilët përballen me përvoja të hidhura. Në këtë rast Kosova ka një trajtim më të mirë të medias, mirëpo prapëseprapë gazetaria e lirë po sulmohet dhe cenohet dhe luftimi i kësaj dukurie është shndërruar në mision primar të AGK-së. Për këtë Çollaku ka fajësuar kryesisht gjyqësorin i cili po ndikon që rastet të ngecin dhe të mos trajtohen si duhet.

    Besim Kelmendi Koordinator përgjegjës për trajtimin e rasteve të sulmeve ndaj gazetarëve, ka thënë se gazetarët janë aleatët kryesor të Prokurorisë së Shtetit për të identifikuar rastet e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Ai ka thënë se Prokuroria e Shtetit ka intensifikuar bashkëpunimin me AGK-në për të trajtuar secilin rast të dhunës ndaj gazetarëve. Mirëpo Kelmendi ka konstatuar se ka edhe një mosbesim të madh nga ana e gazetarëve për sistemin prokurorial, pasi që një numër i gazetarëve as nuk i denoncojnë rastet e tyre në organet përgjegjëse. Prokuroria ka të dhëna për mbi 120 raste të vrasjeve, sulmeve fizike apo kërcënimeve për gazetarë që nga përfundimi i luftës në Kosovë. Kelmendi fajin për dënimet e ulëta e ka drejtuar tek gjykatat të cilat janë përgjegjëse për të shqiptuar dënimet.

    Pjesëmarrësit e tjerë në këtë takim kanë kërkuar që të reformohet baza ligjore e cila siguron trajtim më të mirë të gazetarëve duke filluar me qasjen në dokumente, mbrojtjen e sinjalizuesve dhe burimeve të gazetarisë. Po ashtu nga Qeveria e Kosovës është kërkuar të merren në konsideratë kërkesat që në ndryshimin e Kodit Penal dhe të Procedurës Penale të parashihet edhe publikimi i aktakuzave. Në anën tjetër është kërkuar edhe zbatim më i mirë i Ligjit Kundër Shpifjes dhe Fyerjes i cili deri më tash ka mbetur i pa zbatuar, për të ndëshkuar ato raste kur mediat mund të fyejnë apo shpifin në raport me personat publik apo privat.




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit