SHQENGSRB

KOSTT për kompaninë “Delta Security” thotë se ka qenë e përgjegjshme por më e shtrenjtë

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 29.01.2018 | 3 min
  • Raporton: Arbelina Dedushaj

    Prishtinë- Ankesa e kompanisë së sigurimeve “Delta Security” për tenderin e sigurimit të objekteve të KOSTT bëri që të hënën të mbahet seanca para Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP). Pretendimet e “Delta Security” janë se KOSTT në kundërshtim me Ligjin për Prokurimin Publik (LPP) ka shpallur fitues të kontratës kompaninë “Security Code”.

    Por, përfaqësuesja e autoritetit kontraktues KOSTT, Merita Zharku tha se kompania ankues “Delta Security” edhe pse ka dorëzuar të gjitha dokumentet e kërkuar sipas dosjes së tenderit, e njëjta ka dalë e pasuksesshme për shkak të çmimit të shtrenjtë.

    Zharku tha se kompania fituese “Security Code”, i përmbushë kriteret ashtu siç janë kërkuar. Ndërkaq, lidhur me pretendimin e ankuesi se kjo kompani nuk gjeneron kosto shtesë të shpenzimeve, Zharku tha se e njëjta e ka arsyetuar me kohë pranë autoritetit kontraktues.

    “Meqenëse kompania jonë ka shtrirje regjionale dhe pikë roje e objekteve, që janë ngjitur me KOSTT, si KEDS, SESKO dhe KEDS, në këtë rast pushimi vjetor nuk na gjeneron kosto shtesë të shpenzimeve, kjo pasi kemi të angazhuar punëtorë shtesë për zëvendësime nëpër të gjitha pika ku kemi sigurim.”, citoi Zharku arsyetimin e “Security Code”.

    Në favor të kësaj të fundit mendim kishte dhënë edhe eksperti shqyrtues, Besnik Mehmeti, i cili ishte caktuar nga OSHP për ta shqyrtuar lëndën.

    Mehmeti tha se kompania fituese ka ofruar kalkulimin e pagës dhe ka dhënë arsyet lidhur me pushimet vjetore, e cila ka potencuar se nuk hynë në kosto dhe se i qëndron prapa ofertës së së çmimeve. Sipas tij, arsyeja se pse OSHP-ja këtë lëndë e kishte kthyer në rivlerësim ishte sqarimi i rrethanës rreth pagës neto 230 euro, pagë me të cilën “Security Code” kishte ofertuar.

    Ndryshe, përfaqësuesi i ankuesit “Delta Security”, Ekrem Dreshaj tha se në vendimin paraprak të OSHP-së lidhur më këtë aktivitet të prokurimit janë konstatuar dy shkelje të LPP-së. Ai tha se këto shkelje kanë të bëjnë me mënyrën e kalkulimit të pagës, pasi operatori i rekomanduar për kontratë nuk ka përfshirë pagesën shtesë për orët e natës dhe festave ashtu siç është kërkuar në dosje të tenderit dhe eliminimin nga tenderi në kundërshtim me ligjin.

    Ndryshe, kjo është hera e dytë që “Delta Security” ushtron ankesë për këtë aktivitet me pretendimet e njëjta ankimore.

    Herën e parë kishte ushtruar ankesë më 16 tetor të vitit të kaluar, për të cilën OSHP pas një muaji kishte marrë vendim duke e aprovuar si të bazuar. Po ashtu përmes këtij vendimi, paneli shqyrtues kërkon nga KOSTT që tenderin ta kthej në rivlerësim.

    E në arsyetimin e vendimit të OSHP-së thuhet se autoriteti kontraktues, KOSTT në dosjen e tenderit ka përcaktuar kriter nivelin e pagës për punëtor në shumë prej 230 euro neto, ndërkaq te specifikimet teknike është kërkuar dëshmi për plotësimin dhe zbatimin e plotë të Ligjit të Punës. Po ashtu thuhet se dhe nëse llogariten pagesa për orët e punës gjatë natës, orët e punës gjatë vikendeve dhe festave, ditët e pushimit mjekësor dhe vjetor, kontributet dhe respektimi i orëve sipas ligjit , atëherë del se nuk mund të mbulohen me pagën prej 230 euro.

    Përmes këtij vendimi, paneli shqyrtues kishte kërkuar nga KOSTT që të kërkojë sqarime shtesë nga operatori ekonomik i shpallur fitues “Security Code”.

    Sipas OSHP-së, në këtë aktivitet KOSTT kishte shkelur nenin 7 të LPP-së që ka të bëjë me barazi dhe jo-diskriminim në trajtim. Këtë shkelje ligjore, paneli e arsyeton me eliminim e “Delta Security”, me arsyetimin se ka kaluar buxhetin e parashikuar, por në anën tjetër ka përcaktuar kritere të cilat tejkalojnë mundësinë e kompanive pjesëmarrëse.

    Ndërkaq ankesën e dytë “Delta Security” e kishte ushtruar në dhjetor të vitit 2017, për të cilën këtë të hënë edhe u mbajt seanca dëgjimore.




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit