SHQENGSRB

Kompanitë kërkojnë rivlerësim të tenderit për ndërtimin e stadiumit të Komunës së Ferizajt

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 25.01.2018 | 3 min
  • Prishtinë- Pas ankesave të dy konsorciumeve “Eskavatori & Best Company”, “P&I, Dajting, ADA Consulting” dhe dy kompanive ”Al-Trade” dhe “Gërlica”, tenderi për ndërtimin e fazës së parë të stadiumit të Komunës së Ferizajt është pezulluar.

    Për këto ankesa, të mërkurën është mbajtur seanca dëgjimore para panelit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) lidhur me shkeljet e Ligjit të Prokurimit Publik, që operatorët ekonomik në fjalë pretendojnë se janë bërë nga Komuna e Ferizajt.

    Gjatë referimit të lëndës nga anëtari i panelit shqyrtues të OSHP-së, Nuhi Paçarizi u tha se për këtë tender komisioni i vlerësimit më 4 dhjetor të vitit të kaluar ka shpallur fitues konsorciumin “Bageri & R Rukolli”, oferta e të cilit kishte qenë 6,089,486.00 euro, për të cilin vendim i kishte njoftuar edhe operatorët ekonomik të eliminuar.

    Njëri prej përfaqësuesve të këtyre të fundit, ai i “Eskavatori & Best Company”, Qendrim Zogaj kërkoi nga OSHP që tenderin në fjalë ta kthej në rivlerësim, pasi autoriteti kontraktues, në këtë rast Komuna e Ferizajt e kishte eliminuar pa të drejtë për mungesë të referencave për punë të ngjashme

    Por, sipas Zogajt këto referenca, përkatësisht lista e projekteve për tri vite 2014, 2015 dhe 2016 dhe vlera e këtyre projekteve që arrijnë vlerën prej 10 milion eurove janë dorëzuar në komunë, e këtë gjë sipas tij e vërteton edhe raporti i ekspertes, Hazbije Krasniqi.

    Ndërsa, Leonit Gecaj përfaqësuesi i kompanisë
    Al-Trade”, e cila ishte shpallur e pasuksesshme tha se fituesi nuk e kishte plotësuar kërkesën për referenca për punë të ngjashme, pasi sipas tij e njëjta kishte dorëzuar referenca për ndërtim të rrugëve e jo për objekte. Në fund, Gecaj i propozoi panelit që lëndën ta kthej në rivlerësim.

    Arjan Teneqja, përfaqësuesi i kompanisë së eliminuar “Gërlica”, e falënderoi eksperten Krasniqi për gjetjet dhe raportin e saj dhe për rekomandimin që lënda të kthehet në rivlerësim. Por për këtë raport i njëjtit shtoi se nuk pajtohet me një konstatim, ku flet për gjuhët në të cilat janë dorëzuar dokumentet e kërkuara.

    Në konstatimin e ekspertes thuhet se kjo kompani nuk ka definuar se cilat dokumente kanë qenë të përkthyera, pasi gjuha turke nuk është gjuhë zyrtare, por sipas Teneqes disa dokumente janë në gjuhën shqipe dhe angleze, ndërkaq ato dokumente që janë në gjuhën turke janë të përkthyera në njërën prej këtyre dy gjuhëve.

    E përfaqësuesja e operatorit ekonomik, e shpallur si e pasuksesshme , “P&I, Dajting, ADA Consulting”, Leonora Thaqi tha se konsorciumi, i shpallur fitues nga komuna, “Bageri & R Rukolli” nuk ka plotësuar kërkesën e dosjes së tenderit sa i përket sigurimit të tenderit.

    Thaqi dha edhe arsyet se pse nuk ishin shpallur fitues të këtij tenderi. Ajo tha se arsyetimi i komunës ishte mungesa  referencave për tri vitet e kaluara për punë të ngjashme, por sipas saj kjo nuk qëndron, pasi kanë qenë të pajisur me të gjitha dokumentet e kërkuara, përfshi këtu edhe referencat.

    Ndryshe, përfaqësuesi i komunës, Feim Ibrahimi tha se të gjitha pretendimet ankimor të kompanive ankuese nuk qëndrojnë dhe si të tilla janë të pabaza.

    Sa i përket çështjes që e kishte vënë në pikëpyetje kompania “Al-Trade” lidhur me punët e ngjashme, tha se si bazë për punë të ngjashme i kishte marrë asfaltimet, shtrimin e rrugëve dhe projektet e ngjashme për ndërtim.

    Në fund, Ibrahimi shtoi se kompania e rekomanduar për kontratë, “Bageri & R Rukolli” i plotëson të gjitha kërkesat sipas dosjes së tenderit dhe si e tillë është shpallur e përgjegjshme me çmimin më të ulët, ashtu edhe siç është kërkuar.

    Ky tender është projekt dyvjeçar i Komunës së Ferizajt, i iniciuar në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MKRS), e cila për shkak të ankesave në OSHP është pezulluar në dhjetor të vitit të kaluar.




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit