SHQENGSRB

Kompania “Sallahu” ankohet për shkelje ligjore në tenderin për ndërtimin e rrugës nacionale Nadakovc-Smerkovnicë

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 07.03.2018 | 2 min
  • Raporton: Arbelina Dedushaj

    Prishtinë- Në dhjetor të vitit të kaluar, për ndërtimin e rrugës nacionale Nadakovc-Smerkovnicë për llotin e dytë, si fitues të tenderit Ministria e Infrastrukturës (MI) kishte shpallur konsorciumin “Benita & Bes Group & Burimi”.  Por, kundër këtij njoftimi për dhënie të kontratës ishte ankuar kompania “Sallahu” NNT,  e cila pretendon që Komisioni i Rivlerësimit gjatë vlerësimit të ofertave ka bërë shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik.

    Këtë ankesë “Sallahu” e kishte dorëzuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), e njohur ndryshe si gjykata e tenderëve, për të cilën, e njëjta kishte caktuar edhe seancë dëgjimore, e cila është mbajtur këtë të martë.

    Në këtë seancë, përfaqësuesi i kompanisë ankuese ”Sallahu”, avokati Arianit Koci tha se autoriteti kontraktues, përkatësisht MI-ja ka bërë tejkalim të kompetencave, pasi vendimi për shpalljen e atij konsorciumi si fitues, sipas tij, shkelë vendimin e OSHP-së të 7 dhjetorit të vitit 2017.

    “Në atë ankesë, ne në mënyrë të detajuar kemi elaboruar se grupi i operatorëve që është shpallur fitues nuk i plotëson kriteret e kërkuara, sidomos kriterin bazë për dhënie të kontratës “tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët”, po ashtu as kërkesat për gjendjen ekonomike-financiare, aftësinë teknike dhe profesionale”, tha Koci.

    Ndërkaq, eksperti Basri Fazliu, i cili kishte përgatitur ekspertizën lidhur me pretendimet ankimore të ngritura nga operatori ankues kishte rekomanduar që ky aktivitet të kthehet në rivlerësim.

    Fazliu, shumicën prej pretendimeve ankimore të kompanisë “Sallahu” i kishte pranuar si të bazuara, e  sidomos pretendimin që autoriteti kontraktues nuk e kishte respektuar vendimin paraprak të OSHP-së. Sipas ekspertit, ministria nuk e ka respektuar këtë vendim për kthim në rivlerësim të tenderit, e po ashtu nga kompania “Sallahu” nuk kishte kërkuar informacione shtesë konform udhëzimeve të OSHP-së, por në vend të kësaj të njëjtën e kishte eliminuar si të papërgjegjshme.

    “Në asnjë pikë në vendimin e OSHP-së nuk është thënë se “Sallahu” është kompani e papërgjegjshme”, shtoi Fazliu.

    Ky ekspert foli edhe për konsorciumin e rekomanduar për kontratë “Benita & Bes Grup & Burimi”,  që sipas tij, në bazë të dokumentacioneve që i ka pasur gjatë shqyrtimit të lëndës nuk është i përgjegjshëm.

    Si çështje e parë që e bën këtë konsorcium të papërgjegjshëm, ai tha se është ndryshimi i çmimit të ofruar me atë të njoftimit për kontratë. “Për llotin e dytë, ky konsorcium ka pasur çmimin 3,037,613.76 euro, ndërsa në njoftimin për dhënie të kontratës figuron çmimi 2,037,613.76 euro. Këtu nuk mund të jap asnjë sqarim se si autoriteti kontraktues e ka bërë këtë ndryshim”, tha ai.

    Ndërkaq, në seancën e së hënës, për ta mbrojtur vendimin e tij për eliminimin e kompanisë “Sallahu”, nuk kishte ardhur përfaqësuesi i MI-së, të cilën mungesë, paneli shqyrtues tha se nuk e ka arsyetuar fare.




    Lajmet e Rekomanduara

    Thirrje për punë praktike – 5 pozita

    më shumë

    Reagim: Organizatat e shoqërisë civile në përkrahje të protestës!

    më shumë

    Gjakova komuna e parë me kontrata të hapura

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit