SHQENGSRB

Eksperti shqyrtues gjen shkelje në tenderin për sigurimin e automjeteve të Komunës së Gjilanit

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 16.02.2018 | 2 min
  • Raporton: Arbelina Dedushaj

    Prishtinë- Tenderi “Sigurimi i automjeteve për nevojat e KK Gjilan” është ende në duar të panelit të Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), kjo pas ankesës së kompanisë së sigurimeve “SIGMA”. Lidhur me pretendimet e kësaj të fundit, OSHP kishte caktuar si ekspert shqyrtues Sahit Beqirin, i cili më 22 janar të këtij viti kishte dorëzuar ekspertizën me të gjeturat.

    Në ekspertizën që “Democracy Plus” e ka siguruar, eksperti Beqiri kërkon nga OSHP që ta anulojë njoftimin për dhënien e kontratës për kompaninë “INSIG” dhe lëndën ta kthejë në rivlerësim. Beqiri këtë gjë e kishte mbështetur në shkeljet ligjore që i kishte gjetur gjatë shqyrtimit të shkresave të lëndës, dispozita që kryesisht kanë të bëjnë me ekzaminimin, vlerësimin dhe krahasimin e tenderëve.

    Ndërkaq, në seancën dëgjimore të së mërkurës, eksperti Beqiri deklaroi se qëndron në tërësi pranë raportit të ekspertizës që e kishte përpiluar për këtë aktivitet të prokurimit.

    Të njëjtin mendim që tenderi të kthehet në rivlerësim e kishte edhe përfaqësuesja e kompanisë ankuese “SIGMA”, Denada Josifi.

    Ajo tha se ky është një tender për sigurime dhe si i tillë duhet që të merren në konsideratë të gjitha rregulloret dhe dispozitat e zbatueshme në fuqi për kompanitë e sigurimeve. Një nga to që Josifi përmendi ishte edhe respektimi i tarifave të miratuara nga Banka Qendrore e Kosovës (BQK), e që kanë të bëjnë me sigurimin e automjeteve.

    E njëjta po ashtu u shpreh se as kompania e shpallur fituese “INSIG”, por as kompanitë tjera pjesëmarrëse përveç kompanisë që ajo përfaqëson, nuk kanë respektuar këto tarifa të BQK-së.

    Vlera e parashikuar nga komuna për këtë tender arrinte shumën prej 39 mijë euro, por kompania e shpallur si e suksesshme kishte ofertuar me më pak se gjysmën e kësaj shume, përkatësisht me 13,048.07 euro.

    “Komisioni i vlerësimit i rekomandon zyrtarit përgjegjës të prokurimit që me kontratë publike për këtë aktivitet të prokurimit ta shpërblej operatorin ekonomik “INSIG”, me çmimin e korrigjuar”, thuhet në raportin e vlerësimit të këtij komisioni.




    Lajmet e Rekomanduara

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platforma Flamujt e Kuq – Kërkesë për oferta

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit