SHQENGSRB

Shqyrtohet në OSHP ankesa e kompanisë ”Prima Engineering” kundër Komunës së Rahovecit

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 14.12.2017 | 3 min
  • Raporton: Arbelina Dedushaj dhe Agon Hysaj

    Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), i njohur ndryshe si gjykata e tenderëve, të mërkurën ka mbajtur seancë për të shqyrtuar ankesën e kompanisë ”Prima Engineering” lidhur me tenderin “Mbështetja e Komunës së Rahovecit në hartimin e planit zhvillimor komunal”.

    Parashtruesi i ankesës, po ashtu drejtori i kësaj kompanie, Arianit Bytyçi në ankesën e ushtruar më  16 nëntor të këtij viti kishte theksuar shkelje të  dispozitave të Ligjit të Prokurimit Publik (LPP).

    Barazia në trajtimin e operatorëve ekonomik, faza e vlerësimit dhe krahasimit të tenderëve duke përfshirë edhe përbërjen e komisionit janë disa nga shkeljet që kjo kompanie i kishte paraqitur në këtë ankesë.

    Ndërkaq, në seancën e së mërkurës, i njëjti përmendi faktin se në afatin e paraparë ligjor kishte dorëzuar ankesë për rishqyrtim nga kjo komunë, por sipas tij e njëjta ishte hudhur poshtë me arsyetimin që ka kaluar afatin prej pesë ditësh.

    “Fillimisht dua të them se autoriteti kontraktues e ka cilësuar si të jashtëafatshme edhe pse e kemi bërë brenda afatit ligjor, prandaj më vjen mirë që eksperti e ka vlerësuar si brenda afatit”, tha Bytyçi.

    Një element tjetër që Bytyçi përmendi ishte mosnënshkrimi i vendimit nga kryetari i komisionit vlerësues,  përmes të cilit komuna ia kishte refuzuar ankesën. E deri te kjo sipas tij kishte ardhur për shkak mospajtimeve me dy anëtarët tjerë të këtij komisioni dhe i njëjti kishte kërkuar që të zëvendësohet më një anëtar tjetër. Ai shtoi se një gjë të tillë komuna nuk e kishte bërë.

    Sipas Bytyçit, nënkriteret teknike mund të llogariten sipas formulës që është dhënë në dosjen e tenderit dhe se nuk qëndron arsyetimi i komunës se nuk mund të bëhet llogaritja me 70 pikët e përcaktuara për tu kualifikuar një kompani. Por, sipas komunës kjo vlerë është dashur të jetë 100 pikë.

    “Është me rendësi të theksohet se gjithë operatorët ekonomik i kanë pranuar kriteret teknike në dosjen e tenderit dhe asnjëri nga ta nuk është ankuar, prandaj autoriteti kontraktues ka mundur ta bëjë vlerësimin dhe nuk ka pasur arsye ta vonojë procedurën. Por, në fund ka marrë një vendim të jashtëligjshëm”, tha Bytyçi

    Ndërkaq, në fjalën përfundimtare të kësaj seance, i njëjti kërkoi nga paneli shqyrtues i OSHP-së që të pranohet ankesa e tij si e bazuar dhe tenderi të kthehet në rivlerësim në komunë.

    Ndërkaq, eksperti shqyrtues, Sahit Beqiri i cili kishte mbështetur pretendimet e Bytyçit tha se në bazë të dispozitave ligjore është dashur që të gjithë OE të njoftohen për anulimin e procedurës së prokurimit.

    Gjithashtu Beqiri tha se ankesa që Sahiti e kishte ushtruar fillimisht te komuna ka qenë e afatshme.

    Për tu përballur me këtë kompani, si përfaqësues i komunës kishte ardhur Jetulla Kabashi, i cili i qëndroi prapa vendimit që kishte marrë komisioni për hudhjen e ankesës.

    “Operatorët ekonomik zyrtarisht janë njoftuar përmes  platformës e-Prokurimi me 30.10.2017, ndërsa më 04.11.2017 është ushtruar ankesa dhe ka qenë e shtunë, gjë që nuk kemi mundur ta trajtojmë”, tha Kabashi.

    I njëjti tha se pas llogaritjes së ditëve, e atë në ditën e hënë të punës kishin vendosur që ta hudhin këtë ankesë, për arsyet e cekura më lart.

    Në fund Kabashi kërkoi që të mbetet në fuqi vendimi i komisionit për anulimin e këtij tenderi.




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit