SHQENGSRB

Komunikatë për media – Raporti për OSHP

  • by Lajmet
  • OSHP Nyja e Prokurimit Publik

    Prishtinë 13 shtator 2017, Demokraci Plus (D+) ka publikuar raportin e monitorimit të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik (OSHP) për periudhën mars – qershor 2017. D+ është organizata e vetme e cila monitoron të gjitha takimet e hapura të OSHP përmes të cilave synohet të identifikohen shkeljet e prokurimit publik nga institucionet publike të Kosovës si dhe paanshmërinë e shqyrtimit të ankesave nga OSHP.

    Gjatë kësaj periudhe raportuese D+ ka gjetur se problem kryesor në punën e OSHP-së mbetet ruajtja e integritetit institucional. Dy anëtarët më të vjetër të këtij institucioni Tefik Sylejmani dhe Ekrem Salihu janë akuzuar për korrupsion nga Prokuroria Themelore në Prishtinë. Për më tepër aktakuzë është ngritur edhe ndaj Zeqir Fetoshit Udhëheqës i Divizionit për Shqyrtimin e Ankesave për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Isuf Zejna nga D+ ka thënë se mungesa e rregullave për parandalim të korrupsionit, konfliktit të interesit dhe transparencës ka shkaktuar këtë numër të aktakuzave.

    Vërejtje tjetër e evidentuar sipas tij është edhe mungesa e konsistencës në vendimmarrje, pasi që OSHP për situata të njëjta apo të ngjashme ka interpretuar Ligjin e Prokurimit në forma të ndryshme. Mungesa e vendimmarrjes së standardizuar sipas Zejnës shkakton pasiguri juridike ndër operatorë ekonomik dhe autoritete kontraktuese gjë e cila ndikon në rritjen e shkeljeve në përgjithësi. OSHP është kritikuar edhe për adresim të ngadalshëm të rekomandimeve të D+ nga raporti paraprak dhe mbajtje të seancave dhe votimeve në formë të mbyllur.

    Çështje tjetër e identifikuar është edhe shkelja e afateve kohore nga OSHP për trajtimin e ankesave. Në disa raste shqyrtimi i ankesave mund të jetë shumë efikas dhe i shpejtë, përderisa në rastet tjera vonesat në kundërshtim me Ligjin dhe Rregulloren e OSHP-së mund të arrijnë në dhjetëra ditë, javë ose muaj. Përzgjedhja e lëndëve dhe përfundimi i tyre me kohë bazohen tërësisht në vullnetin e OSHP-së pasi që nuk ka mekanizëm të përzgjedhjes së lëndëve i cili do të parandalonte qasjen subjektive.

    D+ ka gjetur se në konkursin e fundit për rekrutimin e ekspertëve është hequr kushti që të njëjtit të mos jenë penalisht duke u ndjekur nga prokuroria apo kushti që ata të mos kenë qenë të dënuar për kryerje të ndonjë vepre penale. Për këtë arsye në listën e ekspertëve të OSHP-së ka edhe persona të dënuar për mashtrim në votime. Po ashtu në listën e ekspertëve ka shumë përfaqësues të autoriteteve kontraktuese gjë e cila përbën konflikt të interesit, pasi që të njëjtit janë vetë potencialisht shkelës të ligjit. Në këtë mënyrë janë identifikuar se institucionet në të cilat ka punuar më parë kreu i OSHP-së Blerim Dina, prijnë me numrin e ekspertëve. Kështu për shembull nga Policia e Kosovës janë pranuar tetë ekspertë të cilët shërbejnë si zyrtarë të prokurimit. Po ashtu edhe një ish kolegë i Blerim Dinës nga Ministria për Komunitete dhe Kthim është pranuar si ekspert shqyrtues. Problem kryesor me punën e ekspertëve edhe në këtë periudhë vazhdon të mbetet matja e performancës së ekspertëve dhe analizimi i arsyeve pse anëtarët e paneleve në shumë raste marrin vendime në kundërshtim me rekomandimet e ekspertëve.

    Në këtë raport janë analizuar në detaje edhe tre rastet më interesante të shkeljeve në kuadër të OSHP-së në të cilat D+ konsideron se OSHP ka dështuar të interpretojë ligjin në mënyrë të pa anshme.

    Sara Zhubi monitoruese e OSHP nga D+ ka thënë se D+ i ka adresuar me këtë raport 10 rekomandime OSHP-së duke filluar nga çështjet më të thjeshta të organizimit e deri tek ato çështje të cilat ndikojnë drejtpërdrejte në paanshmërinë e paneleve shqyrtuese dhe ekspertëve.

    Rekomandimet e D+ për OSHP-në janë:

    1. Mbledhjet e OSHP duke përfshirë të gjitha seancat e shqyrtimit apo të vendimmarrjes të bëhen të hapura për publikun, për të mundësuar monitorimin e vendimmarrjes;
    2. Votimi i anëtarëve të panelit të jetë pjesë e vendimit;
    3. Anëtarët e panelit të cilët votojnë kundër vendimeve të shumicës të kenë arsyetimin e tyre të ndarë pse kanë votuar kundër një vendimi;
    4. Të sigurohet konsistencë në vendimet e OSHP-së përmes krahasimit të vendimeve, ekspertët e përhershëm të angazhohen edhe si zyrtarë harmonizues;
    5. Të ndërmerren masa në parandalimin e konfliktit të interesit në OSHP duke u angazhuar që të parandalohet çfarëdo situate që mund ta dëmtojë besimin në këtë institucion;
    6. Të bëhet matja e performancës së ekspertëve në OSHP, për të siguruar kualitet më të lartë të punës;
    7. Të shmangen rastet e caktimit të të njëjtit ekspert për të gjitha lëndët e një institucioni apo kompanie;
    8. Të rritet bashkëpunimi me prokurorinë për të adresuar rastet të cilat kanë elemente të veprave penale apo paraqesin shpërfillje të vendimeve të OSHP-së;
    9. Të mos angazhohet asnjë ekspert i cili ka kryer vepra penale ose çfarëdo vepre jo etike e cila e bënë të papërshtatshëm për punën e ekspertit në prokurim.

     




    Lajmet e Rekomanduara

    Demokraci Plus (D+) dhe Insajderi fillojnë zbatimin e projektit “P…

    më shumë

    Partitë politike nuk publikojnë shpenzimet e fushatës së zgjedhjeve të…

    më shumë

    Demokraci Plus u dërgon letra subjekteve politike

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit