SHQENGSRB

Kompania ankuese për KEK thotë se i ka shkelur kriteret e veta të dosjes së tenderit

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 19.12.2017 | 2 min
  • Salla e OSHP-se

    Raporton: Sara Zhubi

    Të hënën, para Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP) është mbajtur seanca për shqyrtimin e ankesës së kompanisë “Xani-Inex” lidhur me tenderin e iniciuar nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK). Ky tender i emëruar si “Furnizim me mbikëqyrje të ngasjeve komplet për konvejnerin B=1600”, ishte iniciuar në korrik të këtij viti, e për të cilin kishin dorëzuar ofertat e tyre tre operatorë ekonomik.

    Por, komisioni i caktuar nga KEK si kompani të përgjegjshme kishte rekomanduar kompaninë “ADE Group”, për të cilin kompania ankues “Xani-Inex” thotë se ajo nuk i ka plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara.

    Përfaqësuesi i kësaj të fundit, Isa Hajdini tha para panelit shqyrtues të OSHP-së se kriteret e vendosura në dosjen e tenderit i ka shkelur vet KEK-u, kjo pasi specifikacionet teknike për pajisjen e kërkuar nuk përputhen aspak me atë të kompanisë fituese. Sipas tij, nuk ekziston asnjë mënyrë që pajisja të prodhohet me specifikacionet e dorëzuara nga kompania që ka fituar tenderin.

    Hajdini po ashtu tha se njëri nga kriteret që nuk ishte plotësuar nga kompania fituese është edhe garancioni 12 muajsh i pajisjeve të ofruara, pasi të njëjtën e kishte dorëzuar vetëm pas nënshkrimit të kontratës.

    Ai tha se një shkelje tjetër që KEK e ka bërë në këtë aktivitet të tenderimit është pranimi i katalogut të kësaj kompanie pas mbylljes së afatit të dorëzimit, me arsyetimin se e njëjta ka kërkuar sqarime shtesë. Por, sipas Hajdinit këto deklarata nuk mund t’i vërtetojë me asnjë shkresë të vetme.

    Në anën tjetër, përfaqësuesi i autoritetit kontraktues, Emin Tmava tha se qëndron prapa vendimit që e kishin marrë për  ta shpërblyer me kontratë “ADE Group” dhe se çështja e garancionit që kompania ankuese përmend sipas tij nuk qëndron.

    “Ne qëndrojmë në tërësi prapa vendimit tonë, pasi që operatori fitues gjithashtu ka dorëzuar garancionin e kërkuar sipas dosjes së tenderit”, janë këto fjalët e Tmavës si kundërpërgjigje e pretendimeve të kompanisë ankuese.

    Ndërkaq, eksperti i caktuar nga ana e OSHP-së, Nazmi Statovci përmes raportit të tij kishte rekomanduar që të mbetet në fuqi vendimi i KEK-ut, ndërkaq ankesa e “Xani-Inex” të aprovohet si pjesërisht e bazuar.

    Statovci tha se çmimi ka qenë çështja kryesore në këtë ankesë, pasi sipas tij edhe pse kompania ankuese ka pasur çmimin më të lartë, në anën tjetër ka pasur planin dinamik, e cila i kishte munguar  kompanisë që është rekomanduar për kontratë.

    Eksperti Statovci kërkoi falje që nuk i kishte trajtuar pretendimet ankimore rreth garancionit dhe specifikave teknike, me arsyetimin se është ekonomist.

    Në seancë prezent ishte edhe përfaqësuesi i kompanisë fituese “ADE Group”, Bashkim Gashi, i cili tha se si kompani nuk kanë probleme me garancionet, pasi puna mbikëqyrët nga vet ata.

    Sipas Gashit, edhe katalogun e kishin dorëzuar me kohë, në momentin kur KEK, si autoritet kontraktues kishin kërkuar informata shtesë.

    Ndryshe, kjo ankesë ishte dorëzuar në OSHP në fillim të këtij muaji me pretendime për shkelje të Ligjit të Prokurimit Publik, e atë lidhur me specifikimet teknike, kriteret për dhënien e kontratës, trajtimi i barabartë i kompanive, ekzaminimi dhe vlerësimi i tenderëve.




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit