SHQENGSRB

Intervista e Athur Nogueira me Vinicius Gorczeski

  • Postuar nga: Kategoria: Lajmet Postuar me: 02.12.2017 | 14 min
  • Intervistë e realizuar nga Demokraci Plus (D+), për Gazetën online Insajderi me Arthur Nogueira (30/10/1956) I cili është diplomat në ambasadën e Brazilit në Hanoi të Vietnamit. Ai është autor i librit ‘Kôssovo: Província ou País?’ (Kosova: Provincë apo Shtet?) (FUNAG,2015). Intervista është realizuar në gjuhën Portugeze, dhe pastaj është përkthyer në gjuhën Angleze dhe Shqipe.

    Intervista e realizuar nga  Vinicius Gorczeski

    Përkthyer në Shqip nga Debora Peci

    “Brazili nuk ka asnjë konflikt me shqiptarët”, thotë diplomati brazilian.

    Duke qenë se ka punuar në Shqipëri dhe ka studiuar Kosovën, diplomati sugjeron një lehtësim në regjimin e vizave mes Brazilit dhe Kosovës – por thotë se njohja e Brazilit ndaj Kosovës si shtet sovran do të vijë vetëm kur Serbia dhe Kosova të kenë zgjidhur problemet e tyre aktuale diplomatike dhe ligjore.

    Vinicius Gorczeski – Në 2009 Brazili deklaroi se është kundër shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Këtë vendim e morri duke u bazuar në rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara. Pse zgjodhi Brazili të shkoj kundër aleancës Bruksel-Uashington, e cila e njohi pavarësinë e Kosovës?

    Arthur Nogueira – Së pari, do të dëshiroja t’iu falënderoja për këtë intervistë, e cila edhe njëherë tregon rëndësinë që çështja e Kosovës ka për shqiptarët, serbët dhe komunitetin ndërkombëtar. Kjo çështje është e gjallë në agjendën ndërkombëtare dhe vazhdon të mbetet relevante për të gjithë agjentët e interesuar.

    Duhet të thuhet se vendimi i mosnjohjes së Deklaratës së Njëanshme të Pavarësisë së Kosovës nuk është marrë me synim që të shkojë kundër askujt. Ky është një vendim i bazuar në normat e Ligit Ndërkombëtar të Publikut, mbi rezolutat e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në vetë Kartën e OKB-së dhe në fund edhe në traditat dhe vlerat e politikës së jashtme të Brazilit. Mosnjohja e shpalljes së pavarësisë është vendimi ynë sovran dhe i njëanshëm: asnjë shtet nuk ka kërkuar nga Brazili që të deklaroj këtë apo atë qëndrim dhe vendimi i Brazilit morri në konsideratë vetëm parametrat e përmendura. Brazili vazhdimisht bashkëpunon në fusha të ndryshme me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nganjëherë ndodh të kemi interesa të kundërta, gjë që është krejtësisht e natyrshme.  Megjithatë nuk ka pasur një vendim strategjik që qëllimisht të shkojmë kundër një shteti apo grupe shtetesh.

    2) VG: Duke qëndruar në anën e Rusisë dhe Kinës, aleatët kryesor të Serbisë, a ka kërkuar Brazili aleanca për një vend të përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB-së – siç shkruanin analistët brazilian në atë rast?

    AN – Jo. Nuk ka pasur kurrfarë konsultimesh mes tre shteteve që i përmendët ju. Siç thashë, Brazili e ka marrë vendimin duke u bazuar në Ligjin Ndërkombëtarë të Publikut, në njërën rezolutë të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, në Kartën e OKB-së dhe në traditat dhe vlerat e politikës së jashtme të Brazilit. Mes shteteve të cilat nuk e kanë njohur Kosovën ka shtete me të cilat Brazili është shumë i afërt; njejtë sikur me grupin e shteteve të cilat e kanë njohur Kosovën. Rusia dhe Kina mund të kishin qëndruar në cilëndo nga këto dy grupe shtetesh dhe vendimi I Brazilit do të ishte prapë i njejti.

    3) VG: Ju keni shkruar se tradita diplomatike e Brazilit nuk i pranon mekanizmat të cilët nuk e çmojnë multilaterizmin – që ka bërë që pjesa më e madhe e botës të njohë sovranitetin e Kosovës. Brazili githashtu vlerëson vetëvendosjen, mirëpo kur Kosova e bëri atë Brazili e shpërfilli. Si e shpjegoni këtë kontradiktë të dukshme?

    AN – Në librin tim “Kosova: Provincë apo Shtet?” mundohem t’i theksoj konfliktet e shumta që përfshijnë çështjen e Kosovës. Kjo nuk do të thotë se ato janë vetëm konflikte historike, etnike, fetare ose që i përkasin Fuqive të Mëdha. Ka konflikte edhe në vet Ligjin Ndërkombëtarë të Publikut dhe njëra nga to është edhe pyetja që ju e ngrisni në pyetjen tuaj: si të bashkërendojnë vetëvendosja e popullit dhe integriteti territorial i shteteve?

    Fillimisht, ne duhet të kuptojmë origjinën e konceptit vetvendosje, koncept ky që u zhvillua në kontekst të dekolonizimit, në dekadat pas Luftës së Dytë Botërore. Juristët atë kohë specifikuan se kolonitë nuk ishin pjesë e territorit të qyteteve të mëdha dhe rrjedhimisht nuk ishte e nevojshme të diskutohej për shkëputje apo prishje të integritetit territorial të metropolit. Moment tjetër historik është kur fillojnë shkëputjet e vërteta; procese në të cilat një shtet, zakonisht përmes masave të dhunshme, e sheh një pjesë të territorit të vet të shkëputur dhe që tërheq një pjesë të popullsisë së saj origjinale në pjesët e brendshme të shtetit të ri të pavarur. Arsyetimi etik i thirrur për këtë proces ishte i njejti sikur ai për dekolonizim: vetëvendosje. Mirëpo në këto raste proceset janë të ndryshme, korniza ligore është e ndryshme.

    Ligji Ndërkombëtar nuk ka një përgjigje të qartë për pyetjen tuaj. Sidoqoftë, ka vendime konkrete të aktorëve shtetror – gjykata, ndër të tjera – dhe ndërkombëtar – Brazili është njëri prej tyre – të cilat artikulojnë kushtet për ushtrimin e vetëvendosjes, e cila mundet ose jo të dërgoj deri në shkëputje. Për shembull në grupin e parë, Gjykata Supreme e Kanadasë përcaktoi se nëse një shtet njeh ekzistencën e një pakice dhe e trajton atë grup në mënyrë të drejtë dhe dinjitoze, nuk mund të njihet e drejta për ndarje dhe rrjedhimisht as e drejta për shpallje të pavarësisë. Këtu  mbizotëron principi i integritetit territorial të një shteti. Në grupin e dytë, shtete si Brazili insistojnë se shkëputja e Kosovës ishte kundër rregullave të ligjit ndërkombëtar dhe se çështja e vetëvendosjes së shqiptarëve në Serbi do të duhej të zgjidhej brenda vet Serbisë. Historikisht, shqiptarët nuk kanë përbërë kurrë një shtet të pavarur, kurse në ish-Jugosllavi ata janë trajtuar në mënyrë dinjitoze dhe me respekt. E di se ka pasur shumë konflikte etnike, por ato duhet të zgjidhen nga serbët dhe shqiptarët brenda kornizave ligjore, kushtetuese të Jugosllavisë/Serbisë, mundësisht me mbështetjen dhe mbase edhe me ndërmjetësim nga shtetet mike, por asesi me intervenim nga jashtë, aq më pak një intervenim të armatosur.

    Ajo çfarë nuk ekziston në të drejtën ndërkombëtare është e drejta për shkëputje. Kështu, vetëvendosja duhet të ushtrohet me kujdes duke pasur parasysh kompleksitetin e çështjes, siç mund të shihet edhe në shumë raste të rëndësishme në botë. Mendoni njëherë për ato grupe minoritetesh të cilat tashmë po flasin për vetëvendosje dhe shfaqin synimet e tyre për ndarje nga shtetet në të cilën ato ndodhen tani. Vëreni se komuniteti ndërkombëtarë nuk tregon mbështetje për këto grupe. Krejt e kundërta: shtetet priren të kërkojnë gjakftohtësi dhe vetpërmbajtje dhe i paralajmërojnë këto grupe se shkëputjet nuk do të njihen. Pikërisht këtë e bën Brazili.

    4) VG: Në Europë, shtetet si Greqia dhe Spanja janë kundër pavarësisë së Kosovës për arsye të qarta – të shmangin ndarjen e shteteve të tyre. Shtete të Amerikës Latine, si Bolivia, Uruguaj, Argjentina, Venezuela dhe Brazil në atë kohë mbetën kundër njohjes së Kosovës. A ka pasur konsultime mes shteteve latino-amerikane për t’a refuzuar njohjen e Kosovës? Pse nuk do të ishte interesante njohja e një shteti në Europën Lindore për Amerikën Latine?

    AN – Jo. Secili shtet morri vendim individual, siç mund t’a shihni edhe vet, nuk është se kontinenti ishte unanim në këtë vendim. Për këtë arsye nuk mund të flitet për “interesin e Amerikës Latine” në lidhje me çështjen e Kosovës, njejtë si nuk mund të flitet për “interes Europian” meqë nuk kishte diçka të tillë.

    5) VG: Ju keni shkruar se pavarësia e Kosovës shihet si e pakthyeshme –  edhe Serbia, e cila është e përqendruar  t’a mbajë Kosovën të izoluar, nënshkroi marrëveshje drejt kësaj rruge në Bruksel në 2013. Në 2010, GjND-ja deklaroi se shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës nuk e pa si shkelje të ligjit ndërkombëtar. Prapë se prapë, në punimet tuaja ju vazhdimisht jeni të mendimit se Brazili duhet të mbajë vendimin e marrë në 2008. Pse duhet të mbahet ky vendim dhe çfarë synon Brazili me të?

    AN – Para se t’iu përgjigjem pyetjes tuaj, duhet të marrim në konsideratë dy gjëra. Marrëveshja e Brukselit nuk përmban njohje të pavarësisë së Kosovës nga ana e Serbisë. Nëse kjo kishte ndodhur, apo nëse kjo do të ndodh në të ardhmen, nuk ka kuptim që Brazili të vazhdojë mosnjohjen. Së dyti duhet të qartësojme diçka në lidhje me gjykimin e GjND-së. Ajo çfarë Gjykata ka vendosur është se shpallja e njëanshme e pavarësisë nuk është shkelje e ligjit ndërkombëtar. Kështu, dhe ky dallim ka shumë rëndësi, Gjykata nuk flet për vet pavarësinë, por vetëm për shpalljen e pavarësisë. Me fjalë tjera, ajo çfarë GjND-ja thotë është se secili person apo grup njerëzish mund të deklarojnë çfarë duan pa pasur nevojë të ballafaqohen me ligjin ndërkombëtar. Kjo po që është e vertetë por kjo nuk e zgjidh problemin, meqë Gjykata nuk ka thënë asgjë për pavarësinë e Kosovës.

    Siç e sqarova edhe më herët, dy rastet e përmendura nuk kanë kurrfarë ndikimi në vendimin e Brazilit për mosnjohje të Kosovës. Me fjalë tjera, Brazili i përmbahet qëndrimit të tij: të respektoj ligjin ndërkombëtar, rezolutat e OKB-së dhe vlerat dhe praktikat ndërkombëtare të Brazilit.

    Brazili beson dhe mbron idenë se rendi ndërkombëtar duhet të bazohet në barazinë sovrane të shteteve, në ligjin, në procese multilaterale. Ne vazhdimisht e mbrojmë këtë qëndrim në forume në të cilat jemi pjesëmarrës dhe në të cilat operojmë. Ky model i rendit ndërkombëtar, i njohur si model liberal ose kosmopolitan, për dallim me të ashtuquajturin model realist, sipas pikëpmajes së Brazilit, është ai që i përshtatet më së miri rendit ndërkombëtar. Me këtë Brazili arrin sigurinë, transparencën, parashikueshmërinë, një “fushë loje të barabartë” ku aktorët respektojnë njëri-tjetrin dhe ku ata ndërtojnë një shoqëri globale ku të gjithë përfitojnë – jo si në modelin realist ku mbizotëron “loja zero-shumë” ,e cila nënkupton se duhet të dëmtohesh për të avancuar interesat tua, një vision antagonist i humbësve dhe fituesve duke i vendosur ata në konfrontim të përhershëm. Kosova është një episodë konkrete në pikëpmajet liberale të Brazilit për marrëdhënie ndërkombëtare dhe diplomacia jonë do të ishte kontradiktore nëse do të njihte shpalljen e pavarësisë së Kosovës në kushtet në të cilat ajo është shpallur.

    6) Brazili dëshiron të luaj rol universal në politikën e jashtme. Por shteti vazhdon t’a injoroj Kosovën – edhe pse Brazili e din që nga kjo sjellje nuk është se ka ndonjë përfitim nga Serbia. A do të duhej të përfshihej Brazili në Kosovë nëse diçka e tillë do të kishte rol relevant në politikën e jashtme? Sipas mendimit tuaj, çfarë mund dhe duhet të bëhet nga Brazili në këtë aspekt?

    AN – Qëndrimi i Brazilit, i cili për dekada ka qenë konsistent, nuk synon të nxjerr përfitime nga Serbia. Është princip gjeneral i politikës së jashtme, siç e sqarova edhe në përgjigjen e mëparshme.

    Brazili me pikëpamjen e vet liberale për marrëdhënie ndërkombëtare, synon të ndikojë në procese multilaterale, kështu, duke arritur rezultate pozitive dhe duke fituar respekt. Nuk ka asnë lëvizje në diplomacinë e Brazilit që tenton t’a ndryshojë orientimin e saj, e as që do të kishte ndonjë përfitim nëse do të kishte diçka të tillë. Në fakt, shteti do të humbiste kredibilitetin dhe aleancat e tij, nuk do të mund të bënte miq të rinjë dhe nuk do të bëhej as më i pasur e as më i sigurt. Është një diplomaci e cila nuk i privilegjon fishekzjarrët dhe për këtë arsye, herë pas here, publiku ka tendencë të jetë i padurueshëm. Mirëpo arritjet afatgjata të kësaj diplomacie janë të pamohueshme. Angazhimi me Kosovën nuk do të sjellë ndonjë rritje të konsiderueshme të rëndësisë së Brazilit në arenën ndërkombëtare.

    Në librin tim unë sugjeroj lehtësimin e marrëdhënieve individuale me popullin e Kosovës –  kryesisht ato marrëdhënie që kanë të bëjnë me çështjen e vizave dhe njohjen e dokumenteve të udhëtimit, kjo sepse – dhe kjo është shumë e rëndësishme të theksohet – Brazili nuk ka asnjë konflikt me popullin shqiptar që jeton në Kosovë. Ata janë njerëz të zellshëm, që jetojnë në kushte të vështira, në një vend ku brazilianët mund të bëjnë miq dhe ndoshta edhe biznese, me përfitime për të dyja palët.

    7) VG: A mund të sqaroni pse të miraothen masa të tilla pa pranuar sovranitetin e Kosovës? A nuk duket kjo si kontradiktë – parimisht?

    AN – Brazili nuk ka asnjë konflikt me shqiptarët, as ata nga Shqipëria e as nga Kosova. Në fakt, shumë shqiptarë dhe parardhës të tyre kanë jetuar në Brazil me gjenerata (Unë vet kam punuar me njërin nga ta, Ambasadorin Italo Zappa, një diplomat i shkëlqyer brazilian). Kështu, në kontekstin e punës që ia kam paraqitur Itamaratit (Ministria e Punëve të Jashtme të Brazilit) disa vite më parë për çështjen e pavarësisë së Koasovës, më duket e përshtatshme për të sugjeruar masa që do të shprehnin simpatinë tonë për shqiptarët e Kosovës pa hequr dorë nga parimet e politikës sonë të jashtme. Unë mendoj se janë masa të arsyeshme të cilat pa vështirësi mund të implementohen. Unë këtë e shoh si plotësim, jo kontradiktë.

    8) VG: Edhe pse Brazili njihet se para se të shfaq veten në çështjet e përgjithshme ka traditë të pres daljen e vendimeve të detyrueshme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ekspertët brazilianë kanë shkruar tashmë se Brazili po fshihet pas ligjeve të së Drejtës Ndërkombëtare sa për të mos i armiqësuar shtetet si Rusia e Kina të cilat, në këtë rast, janë kundër sovranitet të Kosovës. Por përndryshe nga Brazili, këto shtete kanë zyrat e tyre në Kosovë. A mund të thuhet se nga ana e qeverisë braziliane ekziston një lloj paditurie ndaj Kosovës dhe Ballkanit në përgjithësi? Mos ndoshta është kjo një ndër aryset se pse Brazili vazhdon t’i shmanget afrimit me Kosovën?

    AN – Këtu kemi shumë pyetje të shtruara, andaj do t’i përgjigjem secilës shkurtimisht.

    1. Brazili nuk fshihet pas ligjeve të së Drejtës Ndërkombëtare. Brazili, së bashku me shtetet tjera, në mënyrë aktive merrë pjesë në ndërtimin e kësaj së drejte dhe më pas edhe respekton punën që shteti ka ndihmuar të ndërtojë, punë kjo e cila është rezultat i negociatave, konsensusit dhe përkushtimit mes pjesëmarrësve.
    2. Brazili as nuk i frikësohet kundërshtimeve të Rusisë dhe Kinës, e as nuk kërkon konfrontime. A do të kishte kuptim t’i frikësohëshim Rusisë e Kinës, e të përballeshim me ShBA-të dhe Europën? Apo nganjëherë e kundërta? Ose, të bashkohej me të gjitha këto shtete në rrethana tjera? Skena ndërkombëtare është shumë e ndërlikuar dhe probleme të shumta, qofshin ato të mëdha dhe të vogla, publike dhe private, politike, komerciale, financiare, kulturore, çështje sigurie etj., diskutohen çdo ditë në qindra forume multilaterale. Brazili verpon në bazë të principeve që i kam përmendur më herët dhe kështu nganjëherë i bie të jetë në njërin grup të shteteve, nganjëherë në tjetrin. Unë për vete kam marrë pjesë në negociata ndërkombëtare në të cilat jemi takuar në grupe të ndryshme nga ato që i përmendët ju në lidhje me Kosovën.
    3. Rusia dhe Kina kanë zyrat e tyre në Kosovë nën rezolutën S/RES/1244 e vitit 1999. Brazili në atë kohë nuk e ka parë si të nevojshme hapjen e një zyre ndërlidhëse në Prishtinë, megjithatë Brazili i ka kontribuar procesit të paqes me një kontigjent policor.
    4. Qeveria braziliane e njeh Ballkanin shumë mirë. Ne kemi për dekada pasur ambasada në pothuajse secilin shtet në atë rajon dhe shuma e informacioneve që qeveria pranon në baza ditore nga këto poste është e pafund. Me këto dhe shtetet tjera të Europës Lindore merret një divizon i tërë i Ministrisë së Punëve të Jashtme (Itamaraty). Vendimi i Brazilit për mosnjohje është menduar nga disa krerë, nga specialistë të ndryshëm dhe është mbetur i pandryshuar që nga atëherë. Arsyet për mosnjohje nuk kanë fare të bëjnë me paditurinë e qeverisë. Sidoqoftë, keni parasysh meqë Brazili nuk e njeh shpalljen e pavarësisë së Kosovës, shteti nuk ka mjete formale dhe institucionale për të krijuar marrëdhënie me Kosovën. Siç e përmenda edhe më parë, afrimi i mundshëm mund të bëhet me popullin e Kosovës.

    9) VG – Çfarë do të mund të bënte Kosova për t’i treguar Brazilit se një afrim eventual do të ishte i frytshëm dhe jo një hap mbrapa – dhe në rast se ndodh kjo, a do të duhej t’a arsyetonte veten Brazili tek Serbia dhe aleatët e saj lindor?

    AN – Për Brazilin, Kosova është provincë e Serbisë dhe marrëdhëniet e saj diplomatike kryhen përmes Serbisë. Sipas definicionit, marrëdhëniet diplomatike bëhen mes dy qeverive sovrane dhe Kosova nuk e ka këtë status.

    Siç e kam shpjeguar tashmë, problemi nuk është i kufizuar në avantazhe dhe përfitime. Kur flasim për marrëdhënie ndëkombëtare bilaterale, nuk ka pasur dhe nuk ka një llogaritje të humbjeve/fitimeve të menjëhershme. Vizioni i Brazilit ëshë i përmasave globale, përfitimi është ndërtimi i një marrëdhënie palnetare të balancuar dhe të drejtë me avantazhe për të githë.

    Prishja e rendit ligjor, e marrëdhënieve të mira mes shteteve dhe – siç ndodhi në Kosovë – dhuna e jashtëzakonshme që i shoqëron këto, ishte një hap i madh mbrapa për mënyrën se si Brazili ndërton marrëdhënie ndërkombëtare. Kontributi më i madh që Kosova mund t’ia bëj rendit ndërkombëtar është gjetja e zgjidhjes së këtij problemi, gjë që mund të bëhet vetëm përmes negociatave mes serbëve dhe shqiptarve.

    10) Pavarësisht mosnjohjes, kosovarët e duan Brazilin dhe kulturën e tij. Ndërsa në Brazil shumë pak dihet për këtë shtet dhe këtë rajon. Për të lehtësuar zgjidhjen e kësaj bllokade që ka zgjatur tani sa vjet a nuk do të ishte interesante që Brazili të përfshihej të paktën në ndërmjetësimin e kësaj mosmarrëveshjeje, në vend se të vazhdonte me politikën e tij të llojit “kemi diçka për të thënë për këtë apo atë, mirëpo asgjë për situatën e tanishme”?

    AN – Brazili do të ishte i gatshëm të shqyrtonte një kërkesë të mundshme për të bashkëpunuar në zgjidhjen e problemit. Mos ndërhyrja në punët e jashtme është një nga pikat kryesore të politikës së jashtme braziliane. Unë mendoj se në rastin e Kosovës ka pasur shumë ndërhyrje dhe shumë prej tyre kishin agjenda, të cilat në vend se të ndihmonin për një zgjidhje të pranueshme nga të dy palët, ato bënë krejt të kundërtën. Figura e “ndërmjetësit të sinqertë” ka kredibilitet vetëm kur të dy palët e shohin atë si të tillë dhe e pranojnë atë nga vullneti i lirë, jo sepse janë të detyruar. Nëse kjo ndodh, atëherë pse jo?

    11) Përgjatë dhe menjëherë pas krizës globale të 2008-ës Brazili pati një moment të mirë ekonomik dhe gëzoi besim ndërkombëtar nën akronimin BRICS (Brazil. Rusia, India, Kina dhe Afrika Jugore). Politika e jashtme e presidentit Lula kishte për qëllim ndërtimin e aleancave globale jashtë boshtit Bruksel-Uashington. Qeveria ka ndryshuar, BRICS kanë humbur shkëlqimin e tyre dhe nuk është rritur si më parë, Europa izolon gjithnjë e më shumë Moskën dhe tensioni është rritur në marrëdheniet e SHBA-ve me aleatët tradicionalë europianë. Çfarë roli global mund të luajë Brazili në këtë skenar të ri?

    AN – Marrëdhëniet ndërkombëtare kalojnë nëpër momente të ndryshme dhe vet nga natyra janë të ndryshueshme. Roli i Brazilit është të lundroj në këtë det që nuk ndalet kurrë së lëvizuri. Rregullat e lundrimit mbesin gjithnjë të njejta dhe nuk ndryshojnë vetëm se erërat bëhen më të fuqishme apo më të dobëta. Çfarë ne duhet të bëjmë është t’i përforcojmë atë çfarë ne e dijmë se funksionon nga përvojat paraprake: multilaterizmi, respekti për sovranitetet, respekti ndaj marrëveshjeve, respekti ndaj rezolutave të OKB-së, respekti ndaj rendit të drejtë, për vendime të gjykatave ndërkombëtare, mjedisin etj. Brazil është një nga themeluesit e Kombeve të Bashkuara dhe para saj ishte anëtare e Lidhjes së Kombeve. Historia jonë tregon se politika e jashtme braziliane është koherente dhe punon me të njejta vlera dhe kërkon rezultate të njejta dekadë pas dekade. Nëse vitet e fundit, skenari ndërkombëtar ekonomik dhe tregtar është bërë më i stuhishëm, rruga e drejtë është të vazhdojmë ndërtimin e zgjidhjeve të përbashkëta, jo-proteksioniste për të kapërcyer krizën dhe për të rifilluar rritjen. Mund të duket se merrë shumë kohë, por kjo mënyrë funksionon dhe ofron përgjigjet më solide dhe më të qëndrueshme. Kontributi i Brazilit është të përpiqet të bindë edhe ata më të padurueshmit se kjo ende është mënyra më e mirë për të vazhduar.




    Lajmet e Rekomanduara

    INTERPRETIMI RAST PAS RASTI I LIGJIT TË PROKURIMIT PUBLIK

    më shumë

    Konkurs për Punë HULUMTUES I LARTË (1)

    më shumë

    THIRRJE PËR PUNË PRAKTIKE

    më shumë

    Platformë Online

    RAPORTO NË NDREQE.COM

    Platformë Online

    Infografika e fundit